SI TË DALËSH NGA BIRA E MINIT?

Desha të përmbahem nga “bombat” e Zaevit, me të vërtetë. Nuk desha të shkruaj për to as kësaj jave. Sepse ashtu i premtova vetes në shkrimin tim të kaluar. Por ja që, është një temë e nxehtë, tepër joshëse për t’u anashkaluar. Temë e cila të tërheq të shkruash për të, të japësh opinionin tënd të vëzhguesit. Sepse është gjë e lehtë për t’u bërë. Gjithmonë është lehtë për vëzhguesin të japë mendime sepse nga pozita e tij në dukje neutrale, cinizmi i analizës së tij është shumë i lehtë për t’u shprehur. Nuk ka se si të mos jenë cinike analizat e kësaj ngjarjeje. Vetë ngjarja është cinike. Interpretimi i saj në opinion është cinik. Interpretimi i tij nga faktori ndërkombëtar, gjithashtu është cinik. Me rradhë…

E kuptoj cinizmin neutral të secilit prej nesh që opinionon lidhur me këtë temë, e që nuk është i kyçur në mënyrë të drejtpërdrejtë në të: nuk është as autor i “krimit”, as viktimë (edhepse viktimë mund të jetë secili prej nesh, sepse secili prej nesh mund të jetë ndër ata 20.000 që janë përgjuar. Wow, e ka njëfarë shmeku edhe kjo, apo jo?! Të të përgjojë dikush… sikur të bën të ndjehesh i rëndësishëm). Por nuk e kuptoj cinizmin e atyre që janë të involvuar direkt në këtë temë. Cinizmin e pushtetit – VMRO, që në asnjë moment nuk e mohon përgjimin, por përkundrazi merr të drejtën të akuzojë të tjerët – viktimat – për moslojalitet ndaj shtetit dhe për shpallje të një të vërtete që gjoja sipas tyre qenka sekret shtetëror. Nuk kërkojnë bile as presupozimin e pafajësisë nga opinioni. Ndoshta sepse janë të bindur në fuqinë e tyre kontrolluese dhe dorrëvënëse në secilën sferë të jetës së këtij shteti. Ose ndoshta, të dehur nga fuqia e tyre diktatoriale, me të vërtetë janë të bindur që nuk kanë bërë asgjë të gabuar.

Nuk e kuptoj cinizmin e partive politike shqiptare, në rradhë të parë të BDI-së që shpall amnistimin e partnerit politik me indiferencën aparente të vet. Ndërkohë që duhet të jetë e para që të kërkojë përgjegjësi dhe të ngrejë procese adekuate politike për të zgjidhur politikisht krizën, për të qetësuar elektoratin e vet. Nuk e kuptoj cinizmin e opozitës shqiptare, PDSH-së që me pompozitet dhe bajraktarllëk mburret me faktin që janë përgjuar, bile që janë përgjuar qysh në vitin 1993. Sikur kjo të ishte dashur të dëshmojë diçka. Po s’mund të jetë ndryshe. Tek ne shqiptarët, diskutimet dhe vendimet politike realizohen nëpër kafene e çajtore. Sa vjen e më shumë bindem që këtë mënyrë të të funksionuarit e kemi sindrom të trashëguar nga shekuj të kaluar, ndoshta që në kohët ilire, kur paria e fshatrave të një rrethi të caktuar mblidhej në dhomë burrash e vendoste për çështje të mëdha.

Mbi të gjitha nuk e kuptoj cinizmin e faktorit ndërkombëtar kur kërkon dialog politik për zgjidhjen e kësaj krize të re, duke anashkaluar faktin që nëse kjo aferë e përgjimeve joligjore është e vërtetë, është kryer një krim, i dënueshëm sipas kodit penal të vendit. I dënueshëm rëndë në secilin shtet normal perëndimor. Nëse faktori ndërkombëtar ofron bisedën dhe dialogun si zgjidhje, atëherë mendoj se nuk mund të presim ndonjë zgjidhje në baza juridike të kësaj teme. Ose faktori ndërkombëtar e ka të qartë që sistemi juridik në Maqedoni është një farsë, dhe që nuk do të angazhohet në zbardhjen e rastit, ose ka humbur fare interesin për vendin tonë, dhe nuk harxhon as edhe një neuron energji mentale për të sajuar një përgjigje më intelegjente kundrejt kësaj krize. Sinqerisht shpresoj që të mos jetë e dyta, sepse të parën disi edhe mund ta kapërdij. Uroj që faktori ndërkombëtar të mos ketë humbur tërësisht shpresat për vendin tonë, sepse në atë rast, shpresat tona janë të humbura.

Ajo që të tmerron më së shumti, është mënyra se si mediat afine të pushtetit po shfrytëzojnë tragjedinë e një familjeje – vdekjen e asaj vajzës së vogël – për të zhvendosur vëmendjen e publikut. Nuk dua të hyj e të diskutoj tragjedinë e tyre, por më duket se viktimat e vetme të kësaj krize politike do të jenë disa doktorë, ndoshta edhe disa nënpunës të ulët që kanë humbur paksa njerëzillëkun në byrokracinë e këtij vendi.

Ndërkohë qeveria shpall punësimin e 3.000 njerëzve në vend…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button