Assange, Britania e detyruar të ndryshojë operacionin e mbikëqyrjes: Po na shterojnë burimet

Operacioni për ruajtjen e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, i cili ka gjetur strehim në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, po “na vjedh të gjitha burimet tona” deklaroi policia këtë të mërkurë, pasi kostot kanë shkuar më shumë se 10 milionë paund (15,3 mln USD).

Përfaqësuesi i Policisë Metropolitane, Bernard Hogan-Howe, tha se operacioni po rishikohet, pasi nuk ka më aspak dyshim se “ai është një operacion shterues”.

Assange jeton brenda Ambasadën ekuadoriane që prej korrikut të vitit 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku prokurorët vendas duan ta marrin në pyetje në lidhje me akuzat e vitit 2010 për ngacmim seksual ndaj një gruaje dhe përdhunimin e një tjetre.

Australiani nuk është akuzuar formalisht si dhe i mohon pretendimet e prokurorëve, duke thënë se Suedia po i përdor këto akuza si justifikim për ta ekstraduar atë në Shtetet e Bashkuara, ku ai mund të përballet me dënimin me vdekje, nëse shpallet fajtor dhe dënohet për publikim të sekreteve qeveritare përmes Wikileaks-it.

Sa i përket operacionit për të parandaluar një arratisje të Assange nga Ambasada ekuadoriane, Hogan-Howe thotë se Policia Metropolitane është duke shqyrtuar “mundësi të tjera, sesi mund ta bëjnë këtë në të ardhmen, për shkak sepse po shterojnë burimet financiare të tyre”.

I pyetur nëse “metodat e reja” nënkuptojnë më pak oficerë të vendosur përreth ambasadës, Hogan-Howe shtoi se “nuk do të japim asnjë specifikë të taktikave tona, por thjesht po njoftojmë se jemi duke parë mundësitë që na jepen”.

Kostoja për të siguruar prezencën e vazhdueshme të policisë, në gatishmëri për ta arrestuar Assange nëse ai do të dalë nga ambasada në Knightsbridge të Londrës, përllogaritet në rreth 10 milionë paund, thotë zëdhënësi i “Scotland Yard”. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button