Fajtor jo vetëm klasa politike, por edhe servilët dhe të heshturit!
Por për këtë gjendje të rëndë në të cilën jemi, nuk e fajësoj njëqind për qind vetëm klasën politike, por shumë më shumë edhe servilët, puthadorasit, zvarranikët, të heshturit dhe të dëgjueshmit, anëtar, aktivistë, simpatizantë dhe militantë të të gjitha partive, sepse gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve partitë, liderët dhe bashkëpartiakët e tyre kurrë nuk i kanë kritikuar për gabimet e tyre, por i kanë duartrokitur për çdo gjë! Faj të madh kanë edhe akademikët dhe intelektualët e heshtur, të cilët kurrë nuk e ngritën zërin kundër të keqes! Prandaj edhe këta të lartëpërmendur janë bashkëfajtor bashkë me këtë klasë politike, të cilët kanë pasur pozita të rëndësishme qeveritare dhe partiake! Shumë të tillë i pashë gjatë këtij muaji, kur eksodi masiv drejt perëndimit ka marrë përmasa shqetësuese, e të njëjtit që i përmenda më lart flisnin me gjuhën e liderëve dhe politikanëve të tyre, duke i fajësuar dhe akuzuar rëndë me lloj-lloj etiketimi si ”avanturista, turista, gomarë, idiotë, të papërgjegjshëm ” etj…… njerëzit e zhgënjyer dhe të pashpresë! Shumë prej jush po harroni që edhe ju jeni prindër dhe keni fëmijë! Çdo njeri edhe nëse është pjesë e një partie, kur është në pyetje shteti dhe kombi, duhet të dal mbi partitë dhe liderët, sepse liderët dhe partitë shkojnë e vijnë, e shteti dhe populli ngelet! Por ju u treguat me qindra fytyra – duke imituar gjuhën e njëjtë me ata që e kanë sjellur popullin në këtë derexhe! Edhe unë jam pjesë e një partie ( LDK-së), por të zezës nuk mund t’i them të bardhë, dhe të bardhës të zezë!