Shkup, nuk ka kush komunikon në shqip me fëmijët me aftësi të kufizuara në Ent

Në Entin për rehabilitimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shkup mungon kuadri i defektologëve shqiptarë. Fëmijëve shqiptarë u flitet në gjuhë maqedonase dhe kjo e pamundëson socializimin e tyre dhe shkakton hendikep të dyfishtë. Kështu për Radio Shkupin deklaroi logopedi Edmond Miftari i cili me vite vepron në këtë institucion.
Sipas tij, fëmijët shqiptarë në këtë institucion kanë vështirësi adaptimi dhe socializimi ngase ju ligjërohet në gjuhë maqedonase e cila nuk praktikohet në shtëpitë dhe rrethin nga vijnë.

“Mungesa e defektologëve shqiptarë në këtë institucion ndikon negativisht në socializimin e atyre fëmijëve pasi që në Entin tonë ekskluzivisht flitet në gjuhën maqedonase dhe parashtrohet pyetja se një dit kur të dalin prej Entit si mund të gjinden në mjedis apo në shtëpitë e tyre ku flasin shqip ose në fshatrat apo qytetet prej nga ata vijnë, e që flitet shqip. Te këta fëmijë primar është retardimi mental si hendikep, ndërsa si hendikep i dytë është mosnjohja dhe moskomunikimi në gjuhën amtare. Lirisht mund të themi se këta fëmijë janë dyfish të hendikepuar”, deklaroi Miftari.

Sipas Miftarit me konventën e UNICEF-it fëmijëve me aftësi të kufizuara u garantohet e drejta për komunikim në gjuhë e cila është e kuptueshme për ta. Maqedonia edhe pse është nënshkruese e kësaj konvente , nuk i zbaton ato.
“Një marrëveshje që nënshkruhet dhe ratifikohet në një shtet dhe nuk aprovohet nuk dij se çka të them për atë gjë. Vet shteti bën një lloj krimi ndaj kësaj popullate dhe ndaj fëmijëve shqiptarë të cilëve u privohet përdorimi i gjuhës dhe mësimit në gjuhën amtare”, deklaori Miftari.

Enti për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rriturve në Shkup funksionon që nga viti 1963 dhe ka për detyrë dhe obligim rehabilitimin e fëmijëve me nevoja të posaçme. Në këtë ent që nga themelimi e frekuentojnë një strukturë heterogjene e popullatës së re të cilët i nënshtrohen procesit të rehabilitimit dhe edukimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button