Viti 2014, zgjon qytetarët nga dehja e mashtrimeve dhe premtimeve të shitura

Viti i tundimeve të mëdha  me ngjarje politike  që morën formën e  pagdhendur nga vullneti i qytetarëve, ka bërë të lëmë pas një vit të mallkuar që rrallë kush do të dëshironte të përsëritet, vlerësojnë analist dhe publicistët e ndryshëm.

Sipas tyre gjithçka fillon me nëpërkëmbjen e votës së shqiptarëve që u bë pjesë e pazareve të lehta të Gruevskit,. Analistët vlerësojnë se sinjalet e një viti të mbrapsht dhe të mallkuar u dhanë që me fillimin e  formimit të qeverisë së re, ku faktori shqiptar pa fije hezitimi, shkeli mbi krenarinë që premtonte para elektoratit shqiptar.

Aktivisti Artan Sadiku, thotë për Portalb se viti 2014 nga pikëpamja shoqërore paraqet një periudhe te rëndësishme te politizimit të qytetareve me çka ata hyjnë ne sferën politike duke ua marrë monopolin partive dhe duke këmbëngulur për pjesëmarrje demokratike në proceset e vendimmarrjes.

“Seria e mobilizimeve të punëtoreve dhe studentëve shënon një ndërprerje definitive në kontinuitetin e apatisë politike dhe ringjalljes së besimit për një ndryshim radikal. Padyshim ngjarja me e rëndësishme e vitit është protesta studentore e cila shënoi fillimin e një epoke të re politike që përjetëson ndarjet etnike dhe vendos politikën në binaret social duke e anashkaluar nacionalizmin si politikë qendrore e partive politike”, thotë Artan Sadiku.

Analisti Mersel Bilalli, thotë për Portalb se kujtime te mira nga ky pushtet nuk janë të mundshme. Aq më pak vitin që kalon.

“Ketë vit e shoh si me pozitive për atë se ngadalë por sigurt  njerëzit zgjohen nga dehja nga konsumimi i tepërt i mashtrimeve. Ketë e dëshmoj edhe rasti monstra dhe ja tani studentet. Mendoj se njerëzit kanë filluar t’i lexojnë manipulimet. U premtua kandidat konsensual që të fitoj Ivanovi, u premtua një nga tri funksionet e ai askund, u premtuan ndryshime kushtetuese për avancim, kurse ajo ndodh qe t’i dilet ne ndihme elitës se VMRO-s qe t’i pastroj parat e grabitura nga populli (pra, edhe nga ne). Me herët këto tanët për çudi të botës pranuan ligjin për natalitetin, por fale Zotit Gjykata e atëhershme kushtetuese e rrëzoi si diskriminues. Pastaj e rrëzuan cenzusin për zgjedhjen e presidentit nga 50% ne 40% që ne të mos jemi më në asnjëfarë faktori në zgjedhjen e presidentit. Investimet ekonomike, të gjitha në lindje. Tani edhe shenjën e tyre duan të na e bëjnë stemë. Pra gëzuar vitin që vjen me ndryshime, me dëshirë qe sa me shpejt t’i harrojmë vitet e mallkuara”, thotë Mersel Bilalli.

Analisti Xhelal Neziri thotë për Portalb se futemi në vitin 2014 me shumë dilema dhe rreziqe si një faturë që duhet të paguajnë qytetarët nga një vit i dështuar.

“Viti 2014 është një periudhë e ngufatjes së lirisë së veprimit, lirisë se shprehjes dhe lirisë së mendimit. Ky vit, përveç rrumbullakimit të projektit kontravers “Shkupi 2014”, do të mbahet mend edhe nga dominimi total i shtetit nga partia VMRO-DPMNE dhe intensifikimi i përpjekjeve për peptizimin edhe të universiteteve autonome në Maqedoni. Pa media të lira, me një represion financiar dhe tatimor, papunësi dhe varfëri të lartë dhe me një shtet të zhytur në borxhe, mendoj se futemi në vitin 2015 me shumë dilema dhe rreziqe. Qeveria VMRO-BDI duhet të mbajë përgjegjësinë për të gjitha këto dështime, po ashtu edhe për regresin e shënuar në procesin e integrimeve në BE dhe NATO. Të gjitha gabimet që ka bërë kjo qeveri e koalicionit dhe liderët e këtyre dy partive, me sa duket, në vitin 2015 faturat do t’i paguajmë ne si qytetarë. Me një mobilizim më të theksuar qytetar mendoj se mund ta shpëtojmë situatën dhe veten. Mendoj se kjo jo që duhet por patjetër të ndodhë në vitin 2015. Rrugë tjetër nuk ka”, thotë Xhelal Neziri.

Publicisti Ismail Sinani, thotë për Portalb se askush nuk do të kishe dashur që ky vit të mbahet mend gjatë. Sipas tij janë shumë ngjarje që do ta rëndojnë gjatë kujtesën e qytetarëve.

“Stema, “Monstra”, premtimet e pa përmbushura parazgjedhore për president konsensual, (mos)anëtarësimi në NATO, (mos)përdorimi i gjuhës shqipe, rrahja e deputetëve, incidenti në Gjorçe Petrov, rrahja e shqiptarëve në Radishan të Shkupit…. do ta rëndojnë gjatë kujtesën e qytetarëve. Prandaj, të gjitha këto që u përmendën dhe që nuk u përmendën, është mirë të shërbejnë si dritëhije për politikanët. Turpi i përjetuar në këtë vit, uroj të mos përsëritet kurrë edhe një herë në këto treva”, thotë Ismail Sinani./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button