Kultura e imponuar e të festuarit

Festohet gjithandej. Drita, shkëlqim, ngazëllim, gëzim e urime nga më të ndryshmet: për mirëqenie, shëndet, dashuri, para! Festojnë të gjithë.

E ç’është festa? Përse festojnë njerëzit? Në treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditëshin e çdo viti, kremtohen ditë të shumta festash kombëtare, fetare, të çlirimit, të nëntorit, të verës, madje, festa më e re e importuar, ajo me gazetarët!

Në nëndarjet e këtyre ditëve të shënuara, që dallojnë nga të zakonshmet, janë festat në të cilat popujt me vite e vite kanë kremtuar aspektin shpirtëror të një ngjarjeje festive. Festa, ku potenca e shpirtërores është ajo që ka shpërfaqur atmosferën festive të shënimit të saj, atmosferë e cila ka qenë e zhveshur nga elementi propagandistik, nga servimi i gatshëm i mënyrës së të festuarit, nga imitimi pa filtër dhe nga shabllonet e ditëve tona. Mirëpo, duke shfletuar të kaluarën, gjejmë edhe rastet e shpikjes së festave, pikërisht në kohën e perandorisë romake, atëherë kur festohej për të larguar vëmendjen nga dështimet e kohës, për të argëtuar popullin, qoftë edhe duke u vrarë gladiatorët në arena dyluftimi! Kjo mënyrë veprimi, nuk është shumë e largët – sa i përket shpikjes së festave domethënë! Në kalendarin tonë të festave, shënohen shumë ditë të tilla.
Por ta lëmë këtë… Le të ketë festa dhe le të bëjnë festa sa të duan! Çështja qëndron në e lehtësinë e pranimit, përqafimit dhe festimit të tyre! A është kaq e lehtë të importohen festat? Ndoshta edhe po, bile për to, as doganë nuk paguhet! Por a është kaq e lehtë të zhvishet festa nga shpirtërorja në ideologjiken?

Duke u nisur nga ajo se duhet jetuar duke pasur qëllime dhe synime të caktuara, mendoj se edhe festa duhet të ketë bazën, synimin, qëllimin e vet, dhe më e rëndësishmja: arsyen e vet! Nën thjerrën e arsyes, mund të gjykohem! Sepse ajo që është e arsyeshme për mua, nuk mund të jetë për dikë tjetër. Në rregull, le të pajtohemi dhe në këtë pikë. Por cili duhet marrë standard për përcaktimin e kufijve të arsyes? Logjika njerëzore? Për këtë nuk mund të pajtohem, natyrisht. Dhe tani, meqë jemi këtu, cila është logjika e festave të fundvitit? Si u shkri urimi nga njëjës, në urim shumës për një popull 97% muslimanë?
Nga: urime Krishtlindjet të gjithë besimtarëve të krishterë, në: “Urime festat të gjithëve”? Cilat festa po na urohen?! Si ndodhi ky tranzicion nga njëjës në shumës përgjithësues? A nuk duhet patur konsideratë për atë pjesë shumicë të popullit ku festa ka kuptim dhe ngjyrim tjetër? Për muslimanin, festa vie si shpërblim i një sakrifice, përkushtimi e devotshmërie ndaj Krijuesit. Ky përgjithësim, nuk është i shëndetshëm në kuptimin e respektit të ndërsjellë ndërfetar e ndërshoqëror.

Përveç importimit të festave, po importohen formate festimesh, të cilat në mënyrat më pompoze na servohen nga mediat tona, që për bazë kanë komercialen. E në vazhdën e komercializimit të gjithçkaje, siç duket, edhe festat e kanë këtë fat! Në mënyrë automatike të imponohet kjo kulturë festimi në çdo pore të jetës dhe çdo hap që e hedh. Që nga zbukurimi cep më cep i qyteteve, që nga “babadimrat” në pikat strategjike të qytetit, nga çdo reklamë me zbritje çmimesh për “festa”, e deri te zhurma idiote për vonimin e zbukurimit të kryeqytetit! Ky komercializim i festave në përgjithësi, e majmë “xhepin” e bizneseve që kanë tregun pikërisht në këto “festa”.
Ky dirigjim i kësaj dysheje biznese&media në kulturën e festimit, duke na diktuar mënyrën e të menduarit rreth çdo çështjeje dhe qasjen ndaj çdo problematike e interesi qenësor tonin si popull, nxjerr në pah mungesën e kulturës bazike të festimit. Jo sepse po luhen lojëra konspiracioniste, por sepse një popull me shkallë të lartë analfabetizmi, me kulturë leximi në nivele minimaliste, me zhvillim të rrënuar ekonomik – ku njerëzit heqin për bukën e gojës, servimi i kësaj kulture festive alla “hajde more gëzuar” dhe aq më tepër pranimi i saj, nuk na shpie askund. Jo në kuptimin fizik të askund-it, por në aspektin zhvillimor e kultural si popull.

Po na diktohet të menduarit, të festuarit dhe të uruarit të festave. Mediat në fakt, e kanë fuqinë që nëse asgjë tjetër, nën thjerrën e mëshirës, të na “edukojnë” në formë tjetër. Dhe duke pasë parasysh rëndësinë e një edukimi të shëndetshëm në aspektin kultural, është qenësore të “intervenojmë” e të mos shndërrohemi në popull, i cili edhepse fikë se fikë, bile ia qet flakën për çdo festë që i servohet edhe zyrtarisht në kalendar!

Të mos i nënshtrohemi filozofisë së turmës. Të qënit selektiv në mënyrë të arsyeshme në veprimet kolektive, është hap drejt ndryshimeve pozitive si popull!

Shkruan: Fitore Haziri, Gjilan

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button