S’korruptohet vdekja!

Enver Hoxha si një antiamerikan i përbetuar dhe pro-rus i devotshëm, paraqet simbol të një diktatori të tmerrshëm e të rrallë për historinë e re. Likuidimet fizike shpesh edhe pa arsye i ishin metodë sundimi. Çfarë mos montonte që të zhduk nga skena e jeta bashkëpunëtorë të afërt kur vlerësonte se janë fuqizuar. I paskrupullt edhe ndaj shokëve të vet nga fëmijëria. Ai kishte monopol absolut mbi “të vërtetën” dhe çdo gjë jashtë saj ishte tradhti. Blendi Fevziu, publicist i shquar me mprehtësi të rrallë do ta zbërthejë enigmën Hoxha, që udhëhoqi katër dekada me fatin apo fatkeqësinë e një populli. Ditët e fundit të jetës së vet qëndronte në një karrige me rrota, i pafuqishëm ta mund vdekjen.

Mijëra njerëz të pafajshëm kishte likuiduar duke ua shkatërruar edhe familjet. Por, ai tani mirë e dinte se s’do të shijojë edhe një pranverë. Viti 1985 do të jetë i fundit për të, por i fillimit për një popull, i cili këtë terror me shekuj do ta kujtojë. Fevziu do të shkruajë – “Vdekja i afrohet dhe ai e ndjen afërsinë e saj… kjo ishte e vetmja që nuk i nënshtrohej fuqisë së tij”. Fuqia e tij përjetohej si e mbinatyrshme, por tani ai humbte luftën me natyrën. Si asnjëherë më parë me fuqi politike, por si asnjëherë më parë me plogështi fizike, Partia dhe socializmi s’i ndihmonin dot, madje vdisnin bashkë me të. Vdekjen nuk mundi ta shpallë për tradhtare dhe ta dënojë me vdekje, ta burgosë e ta internojë në njërin nga 39 burgjet dhe 70 kampet e internimit sa kishte Shqipëria e tij. Pranë tij më s’kishte mbetur asnjë nga shokët shumëvjeçarë. Gati të gjithë i kishte zhdukur.

Hoxha u ndërtua në lider të paprekshëm nga një djalosh me inteligjencë mesatare. Asgjë atë nuk e dallonte nga shumica, përveç epshit të sëmurë për t’u ngjitur lartë në pushtet. Shumë veta mendojnë se ai as që ishte komunist me bindje, por shfrytëzoi valën e atëhershme prokomuniste në botë që të ngjitej në pushtet. Këtë e potencojnë edhe Lazar Fundo dhe Tajar Zavalani shokë nga fëmijëria të cilët i pati pushkatuar pas luftës. Para lufte merrej me do punë të imta dhe takonte grupe protestuesish në një kafene me emrin “Flora”. Ndihmën më të madhe në jetë Hoxhës ia kishte dhënë xhaxhai i tij Hysen Hoxha, e që më vonë këtij do t’ia kthejë me likuidim të nipit të tij Abaz Omari.
Disa shokë shkolle i pat likuiduar vetëm për atë se e kishin qeshur si nxënës, në mes të cilëve dhe intelektualet Musine Kokallari dhe Sabiha Kasimati. Gjersa qëndronte në Francë, Hoxha një kohë kishte banuar edhe te Enver Zarzani, të cilin po ashtu më vonë do ta likuidojë bashkë me shokët Abaz Kuli e Hasan Jero, vetëm që të mos zbulohet diçka nga jeta e tij në Francë. Hoxha në librin e vet do të shkruajë se atje kishte botuar artikuj në “Imanite”, por ajo dëshmohet si e pavërtetë.

Në formimin e lëvizjes komuniste të Shqipërisë, ndihmën më të madhe e dhanë jugosllavët Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha. Për liderizmin e Enverit kishte lobuar Koço Tashko, të cilit më vonë Hoxha do t’ia kthejë me burgim gjer në vdekje. Me urdhër të Hoxhës dhe Koçe Xoxës do të likuidohen shumë bashkëluftarë, si Sotir Vullkani, Kristo Temelko, Xhelal Staravecka, kurse Anastas Lulo do të vdes në burg. Nga shtatë anëtarë të Komitetit Qendror të PKSH, të gjithë u likuiduan, vetëm Ramadan Çitaku vdiq natyrshëm!!!

Me hyrjen e komunistëve në Tiranë, qenë likuiduar një numër i madh i njerëzve (mbi 2000 persona), shumica pa asnjë faj. Qëllimi ka qenë frikësimi. Një gjykatë e improvizuar të cilën e pat udhëhequr një zanatçi, dënoi 17 funksionarë të lartë me pushkatim duke ua shkatërruar edhe familjet. Disa të tjerë u dënuan nga 20 – 30 vite burg me kërkesë të Jugosllavëve. Në Kongresin e Përmetit (1944), Hoxha merr drejtimin e Qeverisë së përkohshme, por njëkohësisht do të udhëheq edhe Ministrinë e mbrojtjes dhe atë për punë të jashtme. Këtu fillon propaganda marramendëse për zmadhimin e personalitetit të tij gjer në përsosmëri.
Me rastin e prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë me kërkesë të Rusisë, në vitin 1948 një grup partiakësh do ta akuzojnë Hoxhën për shumë masakra, duke menduar se ishte momenti për ndërrimin e tij. Por, ai falë mjeshtërisë së tij, për pak do të shpëtojë e që pastaj të gjithë t’i likuidojë. Enver Hoxha do të mbetet në histori për atë se nga viti 1949 e gjer në vitin 1982 i pat likuiduar të gjithë ministrat e tij për punë të brendshme, tre ministra të mbrojtjes, dy të xehetarisë, një të shëndetësisë, një të arsimit, dy zëvendës-kryeministra, një nënkryetar shteti.

Më 14 mars të vitit 1948, Politikbiroa e PKSH sjell vendim për bashkim me Jugosllavinë. Por, pak më vonë për hatër të Rusisë radikalisht do t’i ashpërsojë marrëdhëniet me atë shtet, me çfarë erdhi në radhë ekzekutori numër dy i Shqipërisë – Koçe Xoxe (aso kohe zëvendës kryeministër dhe ministër i industrisë). Ai me një letër do ta lus Hoxhën që t’ia kursejë familjen, por pa efekt. Ai ekzekutohet në vitin 1949, kurse në fuqi vjen Mehmet Shehu, si më merituës për eliminimin e Xoxës. I njëjti 32 vite pas (1981) edhe vet do të shkruajë një letër të ngjashme amaneti, duke i dëshiruar xhelatit dhe Partisë jetë të gjatë dhe duke e lutë atë që t’ia kursejë familjen. Por, djali i madh i tij u pat vrarë, kurse tjerët mizorisht u torturuan. Shehu u pat shpall “agjent” i CIA-s, KGB-së, UDB-ës etj!  E njëjta do ta gjejë edhe Kadri Hazbiun në vitin 1983.

Shumë tragjik është rasti e Liri Belishovës, gruaja me funksion më të lartë në Shqipëri. Ajo degradohet dhe dërgohet në burg, kurse pak kohë më vonë edhe burri i shkarkohet nga pozita e ministrit (1960). Që të dy përfundojnë në burg 30 vjeçar. Disa vite më vonë atyre u sëmuret vajza 22 vjeçare nga leukemia. Babait aspak s’i lejohet që së paku për një moment ta sheh të bijën e vet, kurse së ëmës i mundësohet vetëm një gjysmë ore. Ajo kishte lut që të mbetet me të për disa orë gjer në pushimin e zemrës së saj, por roja me poshtërim e kishte larguar!!!

Edhe pse i afërt me Stalinin, pas vdekjes së tij në vitin 1953, Hoxha menjëherë do të përkrah Hrushçovin në kritikat e tij ndaj Stalinit! Marrëdhëniet me Hrushçovin ishin të mira, përderisa ai nuk kërkoi zbutje të diktaturës në Shqipëri. Asokohe Hoxha do të burgos 44 delegatë partiakë duke dalë nga salla, të cilët i kishin kritikuar metodat e tij dhe të njëjtët do të ekzekutohen (madje edhe shtatzëna Lira Gega). Gjersa Hoxha qëndronte në Moskë, ambasadori sovjetik në Tiranë do t’i propozojë Beqir Balukut (personit numër dy), që të bëjë grushtet dhe ta eliminojë Hoxhën. Ai refuzon duke i mbetur besnik Hoxhës, por 12 vite pas edhe ai u ekzekutua!

Hoxha pat likuiduar edhe shumë prijës fetarë në mes të cilëve edhe Don Llazar Shantoja, don Nikoll Deda, Don Shtefan Kurti (ky i fundit vetëm pse kishte sugjeruar emër fetar për një fëmijë). Kjo pat trishtuar mbarë botën. Ai do të rrënojë 2.169 objekte fetare dhe do t’i ndalojë fetë. Si duket edhe Zotin e shihte si konkurrent.

Mëkat i pafalshëm Hoxhës do t’i mbetet kasaphana ndaj mbi 3.000 kosovarëve në Tivar, e cila qe heshtur për gjysmë shekulli edhe nga vet ai! Sikur kishte një plan ushtarak serb që të likuidohen numër shumë i madh kosovarësh që përkrahnin Ballistët. Kjo më lehtë bëhej me ndihmën e Ushtrisë NÇJ të Shqipërisë. Hoxha përgatit dy brigada të shkojnë në Kosovë që ta zhdukin “reaksionin anti-serb”! (Dokumente, Shtabi Përgj., vol.II). Shqiptarët që kishin përkrahur Ballistët apo Legalistët kishin përfunduar si mish topi në beteja me Gjermanët. Hoxha jep urdhër që shumë shqiptar t’i dorëzohen Divizionit 52 serb (AQSH, f.206, 1945). Më 31 mars 1945, në Tivar ishte ngritur kurthi për asgjësimin e gjithë rekrutëve kosovarë në oborrin e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Është gjuajtur nga të gjitha anët dhe me gjasa llogaritet të jenë vrarë mbi 3.000 shqiptarë. Këtë masakër dhe disa të tjera duke përfshirë edhe atë të Kukësit, Zekeria Cana do t’i quajë “Golgota e madhe Shqiptare”. Njëherit Brigadat III dhe V të Korparmatës së I-rë të UNÇ të Shqipërisë ndihmuan vendosjen e administrimit ushtarak jugosllav në Kosovë.

Hoxha vite me radhë kishte refuzuar ardhjen e Nënë Terezës në Shqipëri, ku ajo kishte nënën dhe motrën të sëmura. Ai përkundër lobimit të shumë qendrave të botës, do ta refuzojë vizitën e një “spiuneje të rrezikshme” siç do ta quajë Nënë Terezën. Pas vdekjes së Hoxhës, Ramiz Alija do të lejojë ardhjen e saj, por më ishte vonë. Ajo kishte vënë kurorë në varret e së ëmës dhe së motrës, por edhe mbi varrin e Hoxhës në shenjë falje.

Sot, ne nuk jemi edhe aq larg këtij regjimi, por me metoda më të sofistikuara. Në vend të frikësimeve me vrasje, kemi forma tjera – shantazhet, presionet e kushtëzimeve, duke suspenduar demokracinë dhe institucionet. Enveri institucionet – parlamentin, qeverinë, partinë i trajtonte si personale. Tani si duket kjo funksionon edhe ndër ne. Në vitin 1984 Shqipëria mbeti në vendin e tretë në botë për nga vobekësia me vetëm 15 dollarë rrogë mesatare. Tani ajo shpejt shkon përpara, kurse Maqedonia llogaritet në mesin e 10 vendeve më të varfër në botë, derisa liderët e saj çdo ditë lëvdohen me sllogane të zbrazëta. Mediumet shërbëtore me të madhe ndihmojnë të keqen. Plaçkitja shekullore është pjesë e këtij pushteti, por çdo gjë përfundon. Edhe kur duket se jo, shpejtë bindemi se askush nuk mund ta korruptojë vdekjen, e as ta blejë jetën.

Burime: Blendi Fevziu- Enver Hoxha;   Carl S. WibyeHakmarrja e Enverit;  disa dokumente tjera të cituara.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Ne qe e kemi jetuar ate kohe ky artilull eshte nje kujtese per rinine e sotme qe te kuptojne se cka ishte diktatori Hoxha.Ai me djallezinee tij e ktheu shqiperine ne nje burg dhe shqipatret ne te burgosur.Pra shqiperia gjate regjimit te tij u kthye ne bunker.Sot krahasojme demokracine amerikane dhe kuptojme se dhe Shqiepria dhe Maqedonia, dhe Kosova apo Mali i zi jane shume larg nga demokracia perendimore.Ata me metoda te tjera po vazhdojne diktaturat .Faleminderit zoti Billali per kete artikull ku rinia e sotme te kuoptoi te djeshme dhe te mos bjere sewrish pre e politikaneve qe poe dergojne vendin drejt diktaturave .

  2. Këtij shkrimi të këtij farë “analisti” që derdhka lot krokodili e vjell vrer për “vrasjet” e ENVER HOXHËS, (ende pa u hapur dosjet kur dhe pse janë vrarë), pasi e paska lexuar librin pamflet të gazetarit B. Fevziu, por, besoj, edhe shkrimin tim “KUR I MENÇMI RRSHET PËR TERMA”, botuar në këtë faqe, si përgjigje, do t’ia them vetëm vargjet e një strofe të poezisë satirike të poetit durrsak, Arben Duka, që ia kushton gazetarit sharlatan, e që vlejnë edhe për të gjithë bashkëmendimtarët e tij:

    Rri atje tek OPINIONI,
    Rri atje ku pate fatin,
    Se Enveri, o Fevzi,
    Sa je ti e kishte hallatin!

    Po edhe disa vargje të poezisë time për Isë Boletinin, (e që aludon në ENVER HOXHËN) shkruar tash e 20 vjet, botuar edhe në librin “Ju, Bijtë e Nënave”:

    Ç’të kanë bërë kështu, Isë Boletini (Enver Trimi)
    Kush ishin ata që deshën të të zhbinin!
    Sheshit rreth e qark si qentë khur t’u sulën
    Dhe çdo gjë të bukur te këmbët ta shkulën!

    Tek ngjiteshin me leshra, me thonjtë e paprerë,
    Ata dhanë e morën me gjithë atë poterë!
    Deri në mes shalëve dhëmb e duar zgjatën
    Po atje ku duhej dot nuk të kapën!

    Le të të kapnin Isë, (Enver), ti pse s’i le!
    Se të gjithë së bashku s’bëjnë as sa një(ra) ve!
    Sa një guak kënete liqenit përreth
    Kur del nga llumi dhe ulet mbi gjeth…

Back to top button