Politika dhe mediat

Mediumet si mjete të komunikimit masiv, në dozë të madhe ndikojnë në formimin e opinionit publik, në bindjet dhe qëndrimet e publikut. Realitetin që e paraqesin mediumet, depërton në masë të gjerë tek publiku dhe me ndikimin që kanë, posedeojnë fuqi për ta kontrolluar opinionin publik dhe ta ndryshojnë realitetin sipas situatave, interesave ose qëllimeve të ndryshme, për këtë arsye edhe bëhen pre e subjekteve politike dhe grupeve të interesit.

Nëse qëllimi i ekzistimit të partive politike është që të garojnë për ti fituar zgjedhjet dhe ta marin pushtetin, në mënyrë që të zbatojnë programin dhe konceptin e tyre politik, atëherë logjikisht preokupimi kryesor i tyre duhet të jetë si ta bindin votuesin. Ato duhet të garojnë në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin për të qeverisur, kështu që detyra e tyre është të bëjnë përpjekje ta determinojnë opinionin publik në favor të politikave dhe konceptit të tyre.

Suksesi dhe efekti i këtij misioni varet nga shumë faktorë, por pa dyshim një faktor me rëndësi dhe ndikueshmëri të madhe dhe të veçantë, ndoshta edhe vendimtare, janë mediumet.

Pra, mediumet janë mënyra më efikase për ti bindur votuesit dhe për ti promovuar vlerat dhe konceptet politike. Realisht ekzistojnë edhe shumë faktorë tjerë që paraqiten si kushte për ta aritur suksesin e lartëpërmendur një parti politike, si oferta dhe programi politik, autoriteti i figurave kryesore, vlerat që promovon, strukturimi, kapaciteti financiar etj. Mirëpo çdo parti politike mund ti plotësojë të gjitha këto kushte dhe përsëri të dështojë nëse nuk i kushton rëndësi të veçantë paraqitjes mediatike, duke përfshirë të gjitha llojet e mediave: shtypi, radio, televizioni, interneti, etj.

Nuk mund të mohoen edhe format e komunikimit me votuesit nëpërmjet metodave klasike si komunikimi i drejtëpërdrejtë, tubimet etj, por nëse bëjmë një krahasim me komunikimin masiv mediatik, metodat klasike kërkojnë më shumë angazhim, më tepër resurse njerëzore, janë më të lodhshme dhe nuk mund të përfshijnë tërë popullatën. Si pasojë e këtyre komplikimeve, metodat klasike përdoren më shumë si ad-hoc vetëm gjatë kampanjave zgjedhore, ndërsa komunikimi masiv përmes mediumeve me ndikimin që ofron dhe përfshirjen e madhe të publikut, duhet të jetë permanent gjatë gjithë periudhës së veprimit politik.

Në praktikë është treguar se një subjekt politik, sa më shumë të disponojë me hapsirë mediatike, aq më të mëdhaja i ka gjasat të korrë sukses në skenën politike, dhe burimet duhet të orientohen kah kjo fushë veprimi.

Mediumet sipas fuqisë dhe ndikimit që posedojnë ndryshe quhen edhe “pushteti i katërt”, dhe janë mjeti më i sofistikuar për ta përkrahur sistemin politik, apo për ta kundërshtuar.

Në shumë shtete në tranzicion, që kanë kaluar nga sistemi monist në pluralizëm, apo në shtetet në zhvillim ku demokracia nuk është stabile dhe është në fazën e pjekurisë, tregu mediatik edhe pse është formalisht dhe juridikisht i liberalizuar, përsëri vazhdon të jetë i influencuar nga grupe të ndryshme interesi apo subjekte politike të cilët i shfrytëzojnë në favor të agjendave të tyre, si pasojë mediat janë thelësisht të politizuara dhe skajshmërisht të konfrontuara sipas spektrit politik të cilit i përkasin dhe informatat që i plasojnë në të shumtën e rasteve janë dendencioze.

Rastet më ekstreme janë kur pushteti monopolizon ndikimin mbi të gjithë hapsirën mediatike dhe përmes tyre ndërton imazhin e rejshëm dhe joreal për një structure apo individ, si dhe ndërton kulte të individit të lidërëve harizmatikë, ndërsa si arsyetim të zakonshëm për përndjekjen e mediumeve kritike, përdorin tezën e mbrojtjes nga influencat e jashtme, të cilët kinse duan të propagandojnë kundër interesave shtetërore apo kombëtare.

Kështu që parashtrohet pyetja se çka mund të bëjnë ato subjekte politike që veprojnë në teren dhe atmosferë autoritare ose totalitare, ku pushteti nuk ka nevojë bile as të koruptojë zgjedhjet, sepse ka krijuar mekanizma dhe metoda të sofistikuara për shpërlarje masive të trurit, dhe ajo që në të kaluarën është bërë me dhunë fizike, tani realizohet me dhunë mendore.

Si pasojë e gjithë kësaj përgjigjja mund të jetë vetëm një. “Liria nuk dhurohet, por ajo fitohet”.

Sa mund të ndodh kjo në mënyrë institucionale nuk mund të thuhet, sepse në shtetet me pushtet autoritar vlerat shndërohen në kundërvlera, kështu që ndonjëherë “qëllimi arsyeton mjetet”.

Si mundet ai pushtet që keqpërdor institucionet, të ndryshohet përmes rrugës institucionale!

Lajme të ngjashme

Back to top button