Dëmet e Globalizimit

Në euforinë e jetës egoiste të shekullit XXI, duke tentuar të jetë në hap me trendet më të reja, njeriu bashkëkohor fare pak di për të tjerët me të cilët ndan këtë planet. Ky njeri që shijon bukurinë e trëndafilit të Globalizimit, as që e vëren se gjembat e të njejtit lëndojnë shumë njerëz të tjerë.

Globalizimi si për fillim i armiqësoi njerëzit me natyrën: Duke i joshur me makroprofit i shndërroi ata në ndotës të papërgjegjshëm të rrethinës. Sikur të mos mjaftonin uraganet, tornadot, vërshimet, tërmetet, shkrirja e akullnajave në Arktik… zhdukja e pakontrolluar e pyjeve (që nga viti 1850 e këndej në botë janë zhdukur rreth 7,7 milion km2 pyje) madje edhe rrezikimi i pyjeve të Amazonisë, të njohura si “Mushkëritë e botës”, shton frikën për atë që do të thithim në të ardhmen e afërt.

Mandej nuk është e drejtë që të tjerë njerëz ta shijojnë të mirën, të tjerë të paguajnë çmimin e saj. Më saktësisht: e ndarë në dysh, Toka është planeti i Veriut të zhvilluar dhe Jugut të pazhvilluar. Falë teorisë lokeane që karakterizon politikën globale, shtetet e fuqishme në vazhdimësi pasurohen në llogari të shteteve të dobëta, duke i dobësuar edhe më shumë. Ashtu që 20 % e popullatës së përgjithshme botërore jetojnë me më pak se 1 $ në ditë; 1,4 miliard banorë nuk kanë qasje në ujë të pijshëm; 1,2 miliardë jetojnë në varfëri absolute; 600 milionë prej tyre nuk kanë adresë të përhershme banimi. Kështu dallimi për kokë në mes të të pasurve dhe të varfërve është 1/70!

E ndërkohë që besimi dhe patriotizmi mbeten dy veçoritë që i mungojnë robotëve të mençur, në emër të universalizimit Globalizimi përpiqet t’i zhduk. Pikërisht sulmet drejt përkatësisë etnike, ngjalli nacionalizmin, si mirënjohje ndaj identitetit që për shekuj me radhë i bashkoi njerëzit me vëllezërit nga gjuha, kultura, tradita dhe historia e përbashkët. Kurse përkundër përgatitjes së botës për një besim unik (që nuk do të iu ngjajë besimeve ekzistuese), respektivisht përkundër 22% të popullatës ateiste, u paraqitën fanatizmat fetare, si revoltë  e besimtarëve të cilët arritën harmoninë në saje të bindjeve fetare. Këtu e ka burimin edhe terrorizmi global, si armiqësi të njerëzve me njëri-tjetrin, gjoja sfida e organizatave ndërkombëtare. Por as kjo nuk është e tëra!

Tregtia me njerëz, si shfrytëzim i dhunshëm i njerëzve me qëllim nënshtrimin e tyre për prostitucion dhe pornografi (80% e rasteve) ose nënshtrimin e tyre si fuqi punëtore (19 % e rasteve), realizon 32 bilion $ në vit. Mesatarisht 20 deri në 30 milion skllavë për çdo ditë në botë, shiten për 90$. Falë globalizimit ata pa pengesë kalojnë kufijtë dhe humbin gjurmët. Ndërsa sindromi që fitohet në mungesë të sistemit imunitar (AIDS) është diagnoza e 35 milionë njerëzve. Si sëmundje globale, njëherit është edhe vrasësi më i madh global (me 39 milion viktima që nga viti 1981).

Heqja e barrierave kufitare lehtësoi transportin dhe tregtia me lëndë narkotike ze 8% të tregut botëror. Çuditërisht në kohën e Paleolitit njeriu përdorte bimët narkotike, për t’ia shtuar trimërinë që të gjuajë kafshët me hark e shigjetë, sepse kishte frikë nga e panjohura, mistikja. Por sot kur njohuritë janë në nivelin më të lartë që ka ekzistuar ndonjëherë, njeriu bashkëkohor shkatërron jetën e të tjerëve për përfitime materiale, rëndom në fund edhe jetën e vetë (pa ndonjë arsye të justifikueshme, duke e bërë armik të vetvetes). Është më i ulët se njeriu primitiv!

Thjeshtë: për aq sa dëmet të vazhdojnë të jenë më të mëdha se sa dobitë e Globalizimit, banorët e fshatit unik global janë peshq të rënë në grep, pa kontrolluar atë çka iu servua! Fatkeqësisht!

Lajme të ngjashme

Back to top button