Ligji apo zbatimi i tij!

Në intervistën e tij  dje  në mbrëmje, në Lajmet e Kanal 5 (ora 23), kryeministri Gruevski theksoi një gjë shumë interesante që të detyron të mendosh më thellë dhe të analizosh gjërat që ndodhin viteve të fundit në sistemin udhëheqës dhe vendim-marrës në shtetin tone (Maqedoni). Ai, pos tjerash tha ”Nuk duhet të jemi indiferent kur dikush e blen diplomën (Ne treba da bideme ramnodushni koga nekoj ja kupuva dipllomata)”. Këtu ishte biseda për Ligjin e ri  të arsimit që duhet të hyjë në fuqi e që është rreth provimit shtetërorë, e që bëri një buj të madh në Maqedoni, duke u përcjellë me protesta nga studentë dhe persona tjerë që janë kundër të njëjtit Ligj.

Mirë, nuk duam të marrim kohën për të analizuar Ligjin dhe qëllimet e protestave, sepse është temë më veti.

Duke sqaruar për rëndësinë e Ligjit, Gruevski bëri disa sqarime të mira rreth rëndësisë së tij duke krahasuar këtë çështje me disa shtete të UE-së. Sepse është e vërtetë se të pa diturit, me diploma të blera, zënë vendin e atyre që meritojnë të jenë në ato vende pune, e që janë meritorë, që me mund dhe plotë përgjegjësi kanë studiuar…

Le të themi se është pru Ligji, dhe ka hyrë në fuqi. Edhe pse një Ligj duhet të jetë komfor rregullave shoqërore, sepse fundja bihet për një shoqëri, që të jetë më e suksesshme dhe më e rehatshme. Po vlen të pyetemi: Sa efekt do të ketë ky Ligj?! Kush do ta zbatojë atë?! Si do të zbatohet ai?!

Përse parashtrohen pyetje të këtilla!? A nuk kemi vallë plotë Ligje që si të tillë në letër janë shumë të mirë ndërsa nuk i zbaton askush ose shumë pak zbatohen?! Nëse merret e të analizohet Ligji I nëpunësve shtetërorë, lart poshtë është Ligj I mirë, mirëpo kush dhe sa i zbatojnë procedurat që janë të shkruara aty për punësimin e një kandidati për nëpunës shtetërorë. Sa zbatohen nenet që theksojnë avancimin e të punësuarve sipas meritave të tyre në punë?! Sa zbathen nenet që theksojnë pagesën e të punësuarve sipas titujve të tyre arsimorë-shkencorë?! Dhe shumë çështje tjera…Jo vetëm ky Ligj, ka edhe Ligje tjera që janë në hall të njëjtë.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me këtë Ligj. Përsëri diplomat do të blihen. Dhe sikur që bëhet në provimet gjatë punësimeve nëpër administrata shtetërore, ku bëhet provimi shkel e shko, ndihmohen ata që kanë ndonjë lidhje me dikë të punësuar në administratë, dhe më në fund punësohen mu ata që nuk kanë dy lidhje me trurin.

Problemi nuk qëndron në Ligje, Rregullore, Vendime dhe të ngjashme. Problemi qëndron në atë se kush i sjellë dhe kush i  zbaton të njëjtat! …

Shumë energji harxhohet në sjelljen e Ligjeve dhe ndryshimeve Ligjore, ndërsa shumë pak ose hiq  nuk harxhohet energji në çështjet etike të të gjithë atyre që janë nëpunës shtetërorë. Kur do të ngritet niveli i përgjegjësisë, korrektësisë, transparencës, tolerancës, sjelljes së smirë, nderit, integritetit, meritës, dhe shumë çështjeve tjera etike dhe profesionale që ndërlidhen shumë ngushtë dhe pa të cilët një nëpunës shtetërorë nuk mund të funksionojë siç duhet, atëherë edhe kushedi sa Ligje të këqija të ekzistojnë, kushtimisht thënë, një nëpunës me vlera të tilla etike  dhe profesionale do të dijë në mënyrë sa më të mirë dhe pa mos dëmtuar askënd t’i zbatojë të njëjtat.

Kur nuk ka një administratë shtetërore të qëndrueshme, profesionale dhe etike, ndërsa krerët e saj shkojnë bëjnë Ligje dhe vepra tjera dhe e lënë anësh çështjen më themelore që u takon atyre, atëherë nuk mund të jesh një udhëheqës i mirë shteti nëse s’të bën administrate. Nëse nëpunësit shtetërorë janë jo profesional dhe jo etik në punën e tyre, e ti si udhëheqës i tyre nuk ndërmerr asgjë për përmirësimin e tyre, atëherë ose të pëlqen një  sjellje e tillë e tyre ose nuk ke fuqi që t’I kontrollosh të njëjtit…Atëherë parashtrohet pyetja: përse je në krye të një funksioni të lartë-udhëheqës?!

Nëse dëshirohet të bëhet ndonjë ndryshim në shtet atëherë le të kushtohet vëmendje më e madhe në etikën dhe profesionalizmin e nëpunësve shtetërore dhe jo në Ligje.

Nëse dëshirohet të bëhet ndonjë reformë në arsim, atëherë le të bëhen reformat qysh në arsimin fillorë, ku me ndjekjen e fëmijës do të shihet talenti dhe aftësia e tij për sferën adekuate. Që pastaj jo çdonjëri të mund të mbarojë studime universitare dhe mos të ketë dy lidhje me trurin, fatkeqësisht.

Ndërsa nëse çdo gjë që bëhet, bëhet vetëm për t’ia tollovitur trurin dhe larë kokën me akull popullit, atëherë le të vazhdohet kështu, sepse populli nuk e ka ndërmend të zgjohet nga gjumi i thellë që e ka kapluar, deri atëherë kur t’i kujtohet të zgjohet e të mos mund të bëjë asgjë më…

Lajme të ngjashme

Back to top button