Arrestohet “Lionel Messi”, trafikanti shqiptar i kokainës

E quanin “Lionel Messi” i Shqipërisë, por ishte një prej trafikantëve më të rëndësishëm të drogës në Evropë.

Shqiptari Bledar Pajana 38 vjeç, u arrestua pas dy muaj hetimesh në aeroportin e Eindovhen në Hollandë teksa po përcillte një mikun e tij, falë bashkëpunimit mes policisë së Brescia në Itali me atë hollandeze.

Bledari prej ngjashmërisë të madhe fizike me futbollistin argjentinas kishte marrë nofkën “Messi”. Ai akuzohet se është ndër drejtuesit e trafikut të kokainës me origjinë nga Amerika e Jugut, ku nga Madridi dhe Lisbona trafikonte kokainë, e cila pritej nga shqiptarë të tjerë në Itali.

Pajana arrinte që të trafikonte mbi 200 kilogramë kokainë në muaj dhe nga shitja e kësaj lënde narkotike xhiroja vjetore shkonte në 100 milionë euro në vit.

“Messi” i cili qendrën e aktivitetit të tij e kishte përqendruar në Brescia dhe Bergamo të Italisë, u arratis nga ky vend në muajin tetor, kur dy nga të besuarit e tij, u arrestuan me 20 kilogramë kokainë. Pajana u strehua fillimisht në Belgjikë dhe më tej në Hollandë ku zhvillonte një jetë të qetë, duke frekuentuar shpesh kazinotë. Arrestimi i tij nga autoritetet hollandeze u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë. /NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button