Opozita gati të kthehet në Kuvend

Gjasat janë të mëdha që opozita të kthehet në Parlament në seancën e fundit për këtë vit. Të paktën kështu është lënë të kuptohet nga takimi që kreu i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar sot me eurodeputetin Kunt Flenckeinstein.

Ky i fundit ka pohuar para gazetareve se është optimist për arritjen e një marrëveshjeje mes opozitës dhe pozitës shqiptare për kthimin e opozitës shqiptare në Parlament. Direkt pas një takimi që zhvilloi paraditen e sotme me kreun e opozitës Lulzim Basha, Flenckeinstein deklaroi se kishte pasur një komunikim të mirë me kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit Meta dhe liderin e opozitës Basha.

“Patëm një bashkëbisedim të mirë me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Jam optimist për zgjidhjen e krizës dhe për faktin që që në ditët në vijim opozita të jetë në Kuvend. Unë besoj se opozita do të jetë në seancën e ardhshme në Kuvend”, u shpreh raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Kunt Flenckeinstein.

Por me gjithë optimizmin e eurodeputetit Flenckeinstein, kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk e ka pranuar hapur vendimin për të thyer bojkotin, në mënyrë që opozita të jetë në Kuvend javës tjetër.

Megjithatë ai as nuk e ka mohuar këtë gjë, por thjesht ka deklaruar se vullneti i opozitës është të ecë përpara në një Kuvend të dekriminalizuar e ku sundon ligji. Ai ka shtuar gjithashtu se procesi sapo ka nisur por ja vlen rezultati që presim. “Procesi që sapo ka nisur është një proces komunikimi dhe mendoj se i vlen rezultatit që presin jo vetëm ne si opozitë por dhe qytetarët shqiptarë, një parlament mirëfunksional, ku përfaqësohen interesat e tyre, ku flitet për interesat e tyre, ku zbatohet dhe respektohet Kushtetuta, rregullorja e Parlamentit, ligjet dhe ku fjala e lire nuk kërcënohet dhe as nuk cënohet nga përfaqësues të krimit të organizuar. Ja vlen këtyre qëllimeve që ne më shumë se sa të flasim para kamerave të angazhohemi dhe këtu e kam fjalën si për pozitën ashtu dhe për shumicën për ti dhënë fund kësaj situate pa precedent. Është tërësisht çështje e vullnetit politik”, tha Basha.

Eurodeputeti Knut Flenckeinstein mbërriti dje në kryeqytetin shqiptar ku zhvilloi takime me kryeministrin dhe kreun e Kuvendit, ndërsa sot u prit në selinë blu nga kreu i PD-së, në një përpjekje për të gjetur zgjidhje mes mazhorancës dhe opozitës. Pas tij do të vijë në Shqipëri edhe eurodeputeti Eduard Kukan, që do të jetë në Tiranë në 21-22 dhjetor.

Në një deklaratë për shtyp nga eurodeputeti Kukan e Raportuesi Fleckenstein të dy ditëve më parë theksohet se vijnë në Shqipëri për një dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës.

Zyrtarët e BE-së inkurajojnë opozitën shqiptare të rikthehet në parlament, duke theksuar domosdoshmërinë e rivendosjes së dialogut politik në vend. Anëtarët e PE-së pritet t’i propozojnë Kuvendit që të hartojë një draft për dekriminalizimin e tij, i cili do të duhet të miratohet brenda gjashtë muajve të parë të vitit të ardhshëm. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button