PËLLUMBAT DHE PADRONËT

Plaku me këmishë shumëngjyrëshe dhe me një pako tabletash në xhep, ushqen pëllumbat me kokrra misri. Pëllumbat, ardhur nga të katër anët, rrëmbejnë kokrrat dhe ndonjëherë kacafyten. Plaku herë pas herë hedh vështrimin drejt qiellit të nxirë prej tymit që vjell fabrikë e vdekjes, pa i shikuar pëllumbat grindavecë. Nga pamja ngjan si hedhës fare; si ai i pikturës së Onufrit. Loja me pëllumbat mbase është mënyrë për të mposhtur kotësinë. Me gjasë vjen shpesh tek ky vend, sepse xhepat i ka të mbushur me kokrra misri të verdhë.

Pas pak i afrohet një fëmijë. Plaku e shikon me dashamirësi. Fëmijës i duket si plak përrallash. Nga mënyra si ia vështron mjekrën e zbardhur, duket sikur beson që nuk është plak i vërtetë i njikësaj bote, por i arratisur prej legjende. Në prag të fundvitit, mbase, i ngjan si babagjysh i maskuar.

Fëmija mahnitet teksa sheh pëllumbat si i ngjiten për trupi. Mahnitet me dashurinë e pëllumbave.

– Sa të duan pëllumbat – i thotë plakut, i cili e shikon ëmbëlsisht me sytë që sikur i notojnë nëpër lot, shkaktuar prej dhimbjes ose të ftohtit. Pastaj e miklon fëmijën dhe i ofron një grusht misër. Fëmija u hedh pëllumbave kokrra misri. Pëllumbat braktisin plakun dhe turren drejt tij.

– Sa të duan pëllumbat – i thotë fëmijës.

Pas ca kohe, me t’u harxhuar kokrrat e fundit të misrit, pëllumbat fluturojnë drejt qiellit. Fëmija është i lumtur, por nuk e kupton ikjen e pëllumbave pa dhënë shenja mirënjohjeje.

– Përse ikën pëllumbat kaq befas, xhaxha? – pyet fëmija.

Plaku e shikon ëmbëlsisht dhe nuk i thotë asgjë. Ai di më shumë se sa dëshiron të rrëfejë. Rrahjet e jetës kanë qenë leksione si prej maestrove të urtësisë. Plaku e di se pëllumbat nuk i solli dashuria, por kokrrat e misrit. Plaku e di se njerëzit kanë ngjashmëri me pëllumbat dhe sërish janë të ndryshëm dhe më të egër.

Pëllumbat, për dallim prej njerëzve, të braktisin, por nuk të mohojnë. Ata bëjnë jetën e tyre të pëllumbit.

Një soj njerëzish të ngrenë në qiell teksa shohin dobi. Sa kanë interes të ngatërrohen nëpër këmbë. Hasmërohen ndërmjet tyre, por jo me padronin, për sa kohë ai i ka xhepat plot me “kokrra misri. E posa ndjejnë që padroni e ka humbur fuqinë, atëherë kalojnë te padroni tjetër. Më shumë se sa kaq: e mohojnë padronin e vjetër, e shajnë, e godasin, gënjejnë se kanë pasur armiqësi me të dhe se afërsia ka qenë sa për sy e faqe. Kështu duan që ta dëshmojnë shkëputjen e përgjithmonshme prej padronit të parë dhe të dëshmojnë përkushtimin ndaj padronit të ri, të cilit ja thonë fjalët që dikur ja thanë padronit të vjetër…

Padronët janë të zgjuar e dinak, përndryshe do të ishin pëllumba. Nuk u besojnë fjalëve, por provave. Si skile të vjetra që janë, i mbajnë pranë ata që kanë njolla ndërgjegjeje, sepse i kontrollojnë lehtësisht. Më shumë e duan këtë soj, se sa njerëzit krenarë. Pëllumbat e një padroni tjetër mund të bëjnë çdo poshtërsi, mjafton t’i përdorësh në çastin e duhur. Padronët e zgjuar nuk i besojnë dashurisë. Ata duan që pëllumbat e tyre të ndjehen të frikësuar dhe të pasigurt. E dinë se në rastin e parë që do t’u jepej, do t’i tradhtonin, por ama janë të përdorshëm dhe të hyjnë në punë. Le të mos më duan, mjafton që më shërbejnë, mendon padroni, i cili sillet si njeri i urtë. Ai vetëm i projekton prapësinat. Kur sheh njëfarë harmonie ndërmjet shërbëtorëve, atëherë ua fut pykat. Të bashkuar mund ta komplotojnë. Të përçarë do ta tradhtojnë njëri tjetrin. Prandaj herë e favorizon njërin grup, herë tjetrin. Sa më të përçarë, aq më shumë do t’i shërbejnë. Do ta informojnë për qëllimet e njëri tjetrit. Duke dashur të tregohen besnikë ndaj padronit dhe duke u frikësuar nga ajo që mund të ketë thënë pala tjetër, do të bëhen syçelë për ta informuar sa më parë padronin. E kështu deri në ekstremet e kësaj jete dhe kësaj bote.

Padroni është i qetë brenda rrethanave që vetë i ka sajuar. Nuk u beson shërbëtorëve, por vetëm shtiret. Kur plas ndonjë sherr, merr rolin e pajtuesit. I pajton ata që i ka përçarë. I duhet ky imazh pajtuesi.

Mbase kështu ka menduar plaku që di shumë dhe flet pak, i cili më lehtë e ka me pëllumbat e vërtetë. Fëmija nuk mund ta kuptojë se sa e egër është bota. Në sytë e tij ajo duket ndryshe. Është fëmijë dhe ka nevojë për iluzione e mistere. Ai ka tre mundësi: të bëhet pëllumb i egër, padron ose të mbetet njeri i lirë. Nëse do të rritej sakaq, brenda natës, atëherë i mbeten dy mundësi: ose të bëhet padron ose pëllumb. Nëse rritet në kohë normale mund të bëhet edhe njeri i lirë, i cili u fal të tjerëve dashuri dhe dëshiron ta duan dhe jo t’i druhen…

Shënim plotësues: Titulli i shkrimit është i rastësishëm. Ka mundur të jetë ndryshe. Për shembull: “Pëllumbat e princit X”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button