Dëshmi të reja për diplomën e Abdilaqim Ademit

Ndonëse që prej dhjetë ditëve dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës, ka thënë se Abdilaqim Ademi ka diplomuar në këtë Fakultet, në degën metalurgji, duke treguar edhe shënimet në regjistrin përkatës, në jetëshkrimin zyrtar të Ademit si Ministër i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë ende thuhet se ai ka diplomuar në Fakultetin Politeknik të Tiranës, pa u përmendur emri i Universitetit të cilit i përket ky fakultet. Fakulteti që gjendet në jetëshkrimin zyrtar të Ademit si ministër, madje jo vetëm në këtë por edhe në jetëshkrimet e mëparshme zyrtare, nuk ekziston përveçse në fantazinë e tij dhe të atij që i ka shitur diplomën atij. Kjo është njëjtë sikur Ministri Ademi të ketë shkruar në jetëshkrimin e vet zyrtar atë proverbin që vlen për raste të tilla: “Nuk kam turp, nuk kemi çka të më bëni!”

Teknikisht, Ministri Ademi nuk ka faj. Ai dikur ka blerë një diplomë ku lexon se është inxhinier metalurg i diplomuar në Fakultetin Politeknik të Tiranës. Meqënse nuk kishte shkelur kurrë në Fakultet, nuk e dinte se nuk ekzistonte një i tillë. Meqënëse nuk ka qenë asnjë dite student në jetën e vet, nuk e dinte se nuk mund të ketë Fakultet pa Universitet dhe se kur dikush shënon në jetëshkrimin e vet se ka kryer një Fakultet, duhet të shënojë dhe Universitetin të cilit i përket ky Fakultet. Nuk është ironi e vogël që njeriu i cili i ka bërë këto gafa është Ministër i Arsimit dhe Shkencës!

Abdilaqim Ademi nuk është paraqitur në Universitetin Politeknik të Tiranës, përkatësisht në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, as për të marrë diplomën si dokument. Në 8 korrik 1996 diplomën e Ademit e ka marrë Xhabir Nexhmedin Jashari, i cili ka nënshkruar në regjistrin e Fakultetit për tërheqjen e dy diplomave, të vetën dhe të Ademit. Është një gjë e njohur se në atë periudhë kishte studentë nga Kosova e Maqedonia, të cilët bënin sekserin duke blerë diploma universitare në Tiranë edhe për njerëz të tjerë, të cilët i paguanin për këtë shërbim. Ai që nënshkruante për një diplomë të dytë, në fakt e blinte atë për llogari të një personi tjetër. Xhabir Jashari ka blerë një diplomë për Abdilaqim Ademin. Kjo është një diplomë e rregullt në dukje, që thotë se Ademi ka diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës, për inxhinier metalurg. Por kjo diplomë nuk shkoi në dorë të Ademit se ai gënjeu duke mos paguar mitën në shumën për të cilën qenë dakorduar. Kështu që në dorë të Ademit shkoi një diplomë e rrejshme në të cilën thuhej se Ademi kishte diplomuar në Fakultetin Politeknik të Tiranës. Pikërisht kjo diplomë pati nderin të paraqitej në jetëshkrimet zyrtare të Ademit, në të gjitha Ministritë ku ai ka qenë titullar.  

Historia e diplomës së rreme të Ademit është shumë më e thellë. Në një intervistë televizive ditët e fundit Ademi ka thënë se ai fillimisht u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1988, për të kryer studimet për inxhinier metalurg, dhe pastaj shkoi të kryente shërbimin ushtarak. Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, Ademi pretendon se ka kryer dy vite studime në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Xehtari-Metalurgjisë (të cilit nuk ia përmendi emrin), deri në 1991, kur Universiteti i Prishtinës u mbyll nga serbët. Në 1993, mbi bazën e studimeve që supozohej të kishte kryer në Universitetin e Prishtinës, Ademi u regjistrua në vitin e tretë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, dega e metalurgjisë, në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Këtu dalin disa pyetje. Sipas ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Jugosllavinë e kohës kur Ademi e kryeu këtë detyrim, shërbimi ushtarak kryhej menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme dhe ishte parakusht për të kryer studimet universitare. Pra, nuk ka qenë e mundur që Ademi të jetë regjistruar në Universitet si student, dhe fill pas kësaj, pa kryer as vitin e parë të studimeve, të ketë shkuar të kryejë shërbimin ushtarak. Në vitin 1988 shërbimi ushtarak në Jugosllavi kishte një kohëzgjatje prej 15 muajsh. Me ligjin e ri të vitit 1989 kjo kohëzgjatje u ul në 12 muaj. Por, Ademi, sipas atyre që thotë, duhet ta ketë kryer shërbimin ushtarak me ligjin e vjetër, pra për një periudhë 15 mujore. Se nëse Ademi do ta kishte kryer shërbimin ushtarak me ligjin e ri, që hyri në fuqi në prill 1989, atëherë ai nuk do të kishte mundur të kryente vitin e parë të studimeve universitare në vitin shkollor 1989-1990, pasi do të kishte qenë ushtar në përgjatë viteve 1989-1990. Por nëse Ademi e ka kryer shërbimin ushtarak me ligjin e vjetër, pra për 15 muaj, atëherë ai ka shkuar ushtar fill pas përfundimit të shkollës së mesme, dhe ka qenë në shërbimin ushtarak deri në fund të vitit 1989. Pra në këtë rast, ai nuk ka pasur mundësi as të regjistrohet në Universitet në 1988, as të nisë vitin shkollor 1989-1990 si student.

Gjithsesi, në 1993 Ademi, me anë të sekserit të tij, paraqiti në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës një “dokument” ku thuhej se ai kishte kryer dy vitet e para të studimeve në Universitetin e Prishtinës. Vërtetësia ose jo e këtij dokumenti nuk mund të kontrollohej se Universiteti i Prishtinës ishte uzurpuar dhunshëm nga Serbia. Por për zyrtarët e Universitetit të Tiranës “dokumenti” ishte krejt i rregullt meqënëse gjendej mbi disa kartmonedha të llojit marka gjermane, të cilat Ademi i kishte fituar duke punuar për lyerjen me bojë të shtëpive dhe për meremetimin dhe ndërtimin e shtëpive në Tetovë dhe rrethinat e saj. Kështu që Ademi nisi në letër studimet në degën e metalurgjisë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës, ku në fakt Ademi nuk shkeli kurrherë si student. Pastaj ndodhi diplomimi i tij ashtu si e kam përshkruar më lart.

Nuk është ironi e vogël që këto ditë në mbrojtje të Ademit doli dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Tiranës, personi që njihet si Andonaqi me dy mbiemra. Se dekani Andonaq përdor dy mbiemra, nga të cilët njëri është mbiemri zyrtar i tij, me të cilin figuron në Regjistrin e Gjendjes Civile. Tjetri është një mbiemër të cilin Andonaqi e përdor për punë të dyshimta, si në rastin e intervistave për diplomën e Ademit. Kur unë them se intervista e dekanit Andonaq u ble nga Ministri Ademi, atëherë dekani Andonaq ka të drejtë të më padisë në Gjykatë, penalisht apo civilisht, për shpifje apo dëmtim moral, dhe të më kërkojë dëmshpërblim. Por dekani Andonaq nuk e bën këtë (për keqardhjen time të madhe) se intervistat pro Ademit i ka dhënë një person me emrin Andonaq Londo që nuk ekziston zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë. Në Regjistrin e Gjendjes Civile të Republikës së Shqipërisë ekziston vetëm Andonaq Lamani, i cili është zyrtarisht dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Por Andonaq Lamani, nuk ka tagër juridik të bëjë padi në emër të Andonaq Londos. Madje Andonaq Lamani ka detyrimin që të përgjigjet përse ai me emrin Andonaq Londo jep intervista në mbrojtje të një njeriu si Ademi, i cili jo vetëm nuk ka nënshkruar për marrjen e diplomës që supozohet të ketë, por pohon publikisht, sot e gjithë ditën, se nuk e di as emrin e Fakultetit ku supozohet të jetë diplomuar.

Por jo vetëm dekani Andonaq por edhe Ministri Ademi ka të drejtë të më padisë mua në Gjykatën e Tiranës, për shkak se ai supozohet të jetë mbajtës i një diplome universitare të dhënë nga Universiteti i Tiranës.

Unë do të kisha bërë bërë një kallzim penal ndaj Ademit në Prokurorinë e Tiranës por për fat të keq vepra penale që ka kryer ai është parashkruar, për shkak të kalimit të kohës dhe ai nuk mund të ndiqet më penalisht për të. Ademi mund të ndiqet penalisht vetëm në Maqedoni, ku ai ushtron një detyrë të lartë shtetërore me një diplomë false. Por Prokuroria e Maqedonisë ka deklaruar se nuk do të merret me këtë çështje. Kështu ndodh sot. Nesër kur në Maqedoni të ketë shtet ligjor (atje në fakt nuk ekziston një shtet ligjor më i mirë se në Shqipëri) Kryeprokurori i  Maqedonisë z. Marko Zvrlevski ndoshta do të shikojë se i ka blerë lirë prangat me qëndrimin ndaj çështjes së diplomës së Ademit, në mos qoftë ky atëherë shqetësimi i tij i fundit, për shkaqe të tjera.

Lajme të ngjashme

Back to top button