Adhuroni pa frikë në Kishat e juaja!

Gjatë vizitës së Papa Françeskut që u realizua dje në Turqi, ajo që më impresionoi ishte dhurata që Kryetari i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i bëri Papës e që ishte fermani i Fatih Sulltan Mehmet Hanit për liritë fetare të klerikëve katolik të Bosnjës! Erdogani me krenari ia recitonte Papës dokumentin e Sulltanit, në të cilin shkruan:

“Unë, Fatih Sulltan Mehmeti Hani,me bamirësi i urdhëroj klerikët katolik të Bosnjës, Të adhuroni pa frikë në kishat e juaja dhe të qëndroni pa frikë në vendin e juaj! Askush nga vezirët e as nga nëpunësit e mi nuk do të cenojë dinjitetin tuaj dhe nuk do të ofendoheni. Betohem në emër të Allahut, Pejgamberit (Alejhi Selam), Kuranit, dhe në emër të shpatës që kam ngjeshur në brez se jetërat, pasuria dhe kishat e juaja, do të jenë nën sigurinë time deri sa të më mbeteni besnik.”

Vlen të ceket se kjo shpallje e Fatih Sulltan Mehmetit qe e shkruar në vitin 1463 që i bie 326 vjet përpara revolucionit Françez të vitit 1789 dhe 485 vjet para Deklaratës Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e vitit 1948. Njihet e pranohet në shumë rrethe historike e shkencore me zë, si dokument më i vjetër mbi të drejtat e njeriut në histori.

Ky pra është Islami i cili thërret në Paqe, i cili është kundër dhunës, i cili ndalon sharjen dhe Ofendimin e Feve tjera. Për këtë janë të vetdijshëm shumë klerikë katolik e ortodoks, sepse në Kur’an thuhet qartë:

“Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!” (El-Kafirun : 6)

Ne thërrasim në Islam,ju thirrni në Krishterizëm; secili le ti shpalos argumentet në tavolinë dhe deri këtu nuk ka asnjë problem! Problemet fillojnë kur promovohen fyerjet, padrejtësitë dhe etiketimet. Ka dallim mes një të Krishteri dhe një Islamofobi.

Nëse flasim kundër fyerjeve të Alma Lamës nuk flasim kundër Krishterizmit apo kundër ndonjë feje tjetër. Nëse mbështesim të drejtën e motrave me mbulesë për tu shkolluar në Shkollat Kosovare, nuk flasim kundër Krishterizmit apo kunder ndonjë feje tjetër. Nëse flasim kundër shoqatave të grave që nuk ngrisin zërin për Motrat me Mbulesa, nuk flasim kundër Krishterizmit apo kundër ndonjë feje tjetër. Nëse refuzojmë ndaljen e ezanit,nuk flasim kundër Krishterizmit apo kundër ndonjë feje tjetër. Nëse deklarojmë se ISLAMIN e kemi pranuar nga bindja dhe nuk qe TURKU ai i cili me dhunë më imponoi këtë fe, nuk flasim kundër Krishterizmit apo kundër ndonjë feje tjetër. Nëse potencojmë në nevojën për ndërtimin e një objekt fetar islam-xhami në një vend të caktuar dhe marrim iniciativën për ndërtimin e të njejtit nuk flasim kundër Krishterizmit apo kundër ndonjë feje tjetër. Nëse reagojmë kundër padrejtësive që bëhen gjatë informimit në MEDIA (Vrasja e katërfisht në Tiranë e Konstadin Xhuvanit u harrua, dhe Vrasjet që i bëjnë Muslimanët akoma janë Top Temë) nuk flasim kundër Krishterizmit apo kundër ndonjë feje tjetër. Nëse kundërshtojmë burgosjen e gojë-ëmblit Ekrem Avdiut vizavi heshtjes ndaj fyerjeve të Anton Kqirës nuk flasim kundër Krishterizmit apo kundër ndonjë feje tjetër. Nëse mendojmë se të drejtën dhe lirinë të shprehurit Hoxhallarët duhet ta gëzojnë si gjithë individët e tjerë,nuk flasim kundër Krishterizmit apo kundër ndonjë feje tjetër.

Nëse flasim kundër degjenerimit në shoqëri, nuk flasim kundër Krishterizmit apo kundër ndonjë feje tjetër.

Nuk flas kundër FEVE tjera, flas kundër atyre që me fjalët dhe veprat e tyre i bëjnë padrejtësi dhe tentojnë të njollosin fenë time!

Lajme të ngjashme

Back to top button