Katalunja, një hap larg zgjedhjeve të parakohshme

Dy partitë kryesore të Katalunjës janë vetëm një hap larg mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme rajonale, të cilat duan t’i përdorin si një mënyrë zëvendësuese e referendumit aq shumë të kërkuar për pavarësi nga Spanja.

Rajoni, i cili mban peshën sa 1/5-ta e prodhimit kombëtar të Spanjës, këmbënguli në mbajtjen e një referendumi simbolik për pavarësi më 9 nëntor, pavarësisht se kryeministri Mariano Rajoy bllokoi një lëvizje të tillë nëpërmjet gjykatave, duke e konsideruar atë të paligjshëm.

Pas votimit, udhëheqësi i katalanasve Artur Mas, i cili është paditur se ka sfiduar një urdhër gjykate për mos mbajtjen e referendumit, tha se ka marrë në konsideratë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme rajonale, nëse partitë e Katalunjës do të bashkohen nën një slogan të vetëm, në favor të pavarësisë.

Mbrëmjen e së martës, ai caktoi një plan për të krijuar shtetin katalan brenda 18 muajsh, teksa hapi i parë që do të ishte hartimi i një platforme elektorale me mirëkuptimin e të gjithë politikavë, këtë herë të bashkuar.

Oriol Junqueras, udhëheqës i partisë së dytë më të madhe të Katalunjës, “Esquerra Republicana de Catalunya” (ERC), e kundërshtoi fillimisht ofertën, por të mërkurën tha se plani i Mas ishte “një pikënisje” shumë e mirë, për të cilën ai ishte gati të diskutonte.

Në pritje të një marrëveshjeje formale mes partisë së qendrës së djathtë të Mas, “Convergencia i Unio” (CiU) dhe të majtëve të ERC-së, që mund të arrihet brenda pak javësh, sugjerimi se ata mund të shkojnë në zgjedhje të bashkuar është një sfidë reale dhe e drejtpërdrejtë ndaj Rajoyt, duke treguar edhe njëherë se shanset për bisedime mes autoriteteve katalanase dhe qeverisë qëndrore të Spanjës thuajse janë venitur fare. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button