Trazira të mëdha pas vendimit në Ferguson

Më shumë se një duzinë ndërtesash janë vënë në flakë dhe të paktën 61 njerëz janë arrestuar në Ferguson të Misurit, teksa protestuesit e zemëruar kanë demonstruar kundër vendimit të një jurie të madhe për të mos ngritur akuza kundër policit Darren Wilson.

Në qytetin e Fergusonit, në shtetin federal amerikan të Misurit, kanë shpërthyer trazira të mëdha pasi një juri ka vendosur që polici i bardhë, Darren Wilson, të mos akuzohet për vrasjen e adoleshentit të paarmatosur zezak, Michael Brown, më 9 gusht.

Kjo juri, që në anglishte njihet me emrin Grand Jury (Juri e Madhe), përbëhet nga një grup prej 12 personash, që mblidhen për të shqyrtuar dëshmitë kundër një personi të caktuar, për të përcaktuar nëse personi në fjalë duhet të ndiqet penalisht.

Protestuesit kanë djegur makinat e policisë dhe së paku një duzinë ndërtesash, kanë plaçkitur dyqanet dhe kanë shtënë me armë në Ferguson dhe përreth tij.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e masës së njerëzve, ndërsa autoritetet e aviacionit në Shtetet e Bashkuara kanë shpallur kufizime të përkohshme të fluturimeve.

Shefi i policisë në qarkun e Shën Luisit, John Belmar, ka thënë se kjo dhunë ishte “me gjasë shumë më e rëndë” në krahasim me trazirat që ndodhën pasi oficeri i policisë, Wilson, qëlloi dhe vrau të riun 18-vjeçar, Brown.

Protestat shpërthyen në Ferguson disa momente pasi prokurori kryesor në Shën Luis, Bob McCulloch, komunikoi vendimin e jurisë, për të mos e ndjekur penalisht policin Wilson. Në rastin e kundërt, ai mund të përballej me akuza për vrasje të paqëllimshme e deri te akuza për vrasje të shkallës së parë.

Nëna e të riut të vrarë, Lesley McSpaddeen, jashtë gjykatës po e ndiqte transmetimin e deklaratës së kryeprokurorit McCulloch dhe shpërtheu në vaj kur e dëgjoi vendimin e jurisë.

Familja Brown më vonë publikoi një deklaratë, në të cilën theksohej se ishte “thellësisht e pakënaqur” me vendimin, dhe po ashtu ka bërë thirrje te publiku që ta “kanalizojë frustrimin në mënyra që do të sillnin ndryshime pozitive”.

Pjesa më e madhe e protestuesve dukej se ishin shpërndarë në orët e vona (sipas kohës lokale), por pas mesnatës ishte raportuar për vjedhje dhe të shtëna. Policia në Shën Luis ka raportuar për të shtëna nga armët e rënda automatike në hapësirën ku Brown ishte vrarë.

Në demonstratat në qytetet e tjera, përfshirë Nju-Jorkun dhe Los-Anxhelosin, është protestuar kundër vendimit për këtë rast, i cili ka aktualizuar përsëri tensionet racore në Shtetet e Bashkuara. Nuk është raportuar për dhunë në këto protesta.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka kërkuar që protestuesit të mbeten paqësorë dhe që policia të tregojë përmbajtje. Ai ka theksuar se duhet të pranohet se vendimi ishte punë e jurisë dhe se “Amerika është e ndërtuar mbi parimin e sundimit të ligjit”, transmeton VOA.

“Është e domosdoshme të pranojmë se ky vendim ishte detyrë e jurisë. Ka amerikanë që pajtohen me të dhe ka amerikanë që janë thellësisht të pakënaqur, bile edhe të zemëruar. Është reagim i kuptueshëm”, ka theksuar udhëheqësi amerikan, duke folur në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, udhëheqësi për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, Jesse Jackson, ka thënë se duhet të përfundojë dhuna e policisë kundër popullit.

“Secili qytet e ka Fergusonin dhe Michael Brownin e vet. Ne dëshirojmë që të ndalet dhuna. Kjo është dhunë e policisë kundër popullit. Dhuna e brendshme është e neveritshme dhe e gabueshme, por kur njeriu që e ka armën dhe shenjën dhe autoritetin e shtetit, i paguar për të shërbyer dhe mbrojtur, shndërrohet në ekzekutues, atëherë kjo është e papranueshme”.

“Njerëzit me vetëdije duhet të ngrihen dhe të luftojnë duke kërkuar një polici urbane”, ka thënë Jackson.

Vrasja e të riut Brown në muajin gusht ka shkaktuar disa javë të protestave në Ferguson, me raste edhe të dhunshme, dhe ka hedhur në fokus çështjen e trajtimit policor të minoriteteve në Shtetet e Bashkuara.

Disa njerëz, që thonë se e kanë parë rastin, janë shprehur se polici Wilson e ka qëlluar të riun Brown ndërkohë që mbante duart lart, por disa dëshmitarë të tjerë raportohet se i kanë kundërshtuar këto pohime në dëshmitë e dhëna para jurisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button