Obama: Hillary do të ishte presidente e shkëlqyer

Kreu i administratës amerikane ka thënë për ABC News se nëse vendos që të garojë për Shtëpinë e Bardhë në 2016-n, Hillary Clinton do të ishte një presidente e shkëlqyer

Rivaliteti është varrosur me kohë, ndërsa sot presidenti Barack Obama ka vetëm lavdërime për atë që dikur ishte kundërshtarja e tij e madhe në zgjedhjet e brendshme partiake.

Kreu i administratës amerikane ka thënë për ABC News se nëse vendosë që të garojë për Shtëpinë e Bardhë në 2016-n, Hillary Clinton do të i ishte një presidente e shkëlqyer. Fushatën e kandidaturës presidenciale demokrate në 2008-n, ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara e humbi përballë Obamas, që pavarësisht këtij rivaliteti, e caktoi shefe të diplomacisë, i bindur, siç deklaroi asokohe, se do të ishte një prej sekretareve me të mira të Shtetit në historinë e vendit.

Këtë bindje e ka përcjellë ai sërish, edhe pse për një tjetër situatë. “Hillary nuk pajtohej me mua për çdo gjë”, deklaroi presidenti në intervistën për rrjetin televiziv amerikan, “ndaj mendoj se disa gjëra mund t‘i bëjë ndryshe”. Një pohim i tillë, në këndvështrimin e ekspertëve, mund të jetë ndihmesë e madhe për Clintonin, pasi çel një tjetër perspektivë për votuesit e lodhur prej 8 viteve në pushtet të presidentit demokrat. “Një prej përfitimeve të garimit për president është se mund të nisesh nga pozitat ekzistuese me qasje krejtësisht të re. Votuesit mbase duan një frymë tjetër në zgjedhjet e 2016-s, dhe Clinton do të ishte e jashtëzakonshme si presidente”, ka thënë Obama.

Sipas Obamas, ka shumë demokratë që mund ta bënin mirë detyrën e kreut të shtetit, por e vetmja që përmendi me emër ishte 67-vjeçarja, të cilën ai e përshkroi “si një mikë të vërtetë”. Vendimin e saj për pjesëmarrje ose jo në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, bashkëshortja e ish-presidentit të Shteteve të Bashkaura, Bill Clinton, pritet ta bëjë publik nga fillimi i 2015-s./Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button