A do tia japë PDK-ja kryeministrin LDK-së?
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk e ka të sigurt postin e kryeministrit, ashtu siç edhe është deklaruar për mediat.
Burime nga LDK-ja i kanë thënë “Blic” se PDK-ja ka nisur lojën që të mos ia japë postin e kryeministrit LDK-së.
“Nga informacionet e fundit që i kemi, PDK-ja nuk dëshiron që ta lëshojë postin e kryeministrit. Me shumë mundësi nuk do të lejojnë që të përmbushet dëshira e Mustafës për të qenë kryeministër i Kosovës”, ka thënë një burim partiak.
As Hashim Thaçi përpara mediave nuk saktësoi se kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës dhe as Isa Mustafa nuk e ka përmendur një gjë të tillë në mbledhjen e LDK-së.
Ka dhe një dyshim tjetër, se edhe nëse posti i kryeministrit i jepet LDK-së, nuk është e sigurt nëse ky post do ti shkojë apo jo Isa Mustafës.