Begaj, kampionja pa shtëpi dhe mjek (Video)
Titullin kampione e botës në peshëngritje, Romela Begaj e fitoi pas një periudhe shumë të vështirë. Pa një shtëpi, pa të ardhura që të sigurojë stërvitjen e ushqimin dhe me kushte minimale, 28-vjeçarja i solli Shqipërisë një nga dy trofetë më të rëndësishëm të sportit.
Gëzimi i fitores nuk ka fashitur aspak problemet, me të cilat rekordmenja duhet të përballet për të jetuar dhe për t’u stërvitur.
“Në fakt, edhe kjo shtëpi ku unë jetoj tani për tani nuk është e imja, pasi jam me qira. Nuk kërkoj ndonjë shtëpi luksi, por e mira është që, jo vetëm unë por edhe Danieli (Godelli), që jemi të vetmit kampionë bote sot për sot në Shqipëri, do të ishte mirë për ne që të kishim një strehë, pasi edhe ne do të krijojmë familjet tona. Në fund të fundit kam dhënë për shtetin dhe për flamurin shqiptar. Është e vërtetë që nuk kemi një mjek, çfarëdo që të ndodhë unë duhet të shkoj në spital si gjithë të tjerët, ndërkohë që duhet të ketë një mjek personal për një sportist, që i di të gjitha gjërat mbi këtë sport”, shprehet Romela Begaj, kampione e botës në në stilin e shkëputjes, në peshëngritje.
Jeta e saj ndryshon fare pak nga ajo e femrave të tjera, në një prej lagjeve të Tiranës, pasi asaj i duhet ta bëjë vetë pazarin në marketin pranë shtëpisë, të gatuajë vetë e të kujdeset për shumë detaje të tjera, që shpesh ia heqin përqëndrimin nga sporti dhe karriera.
“Kam shumë vështirësi, pasi unë bëj jetë normale si të gjithë femrat e tjera. Bëj pazarin dhe gatuaj ndonjëherë, ndërkohë që nuk kam përkushtimin nga dikush tjetër që të më rrijë pranë. Sigurisht kam edhe familjen, por duhen ndryshuar shumë gjëra, ashtu siç nuk i kam ende”, tha më tej Begaj.
Romela kërkon ndihmë dhe mbështetje nga shteti.
“I bëj thirrje kryeministrit Edi Rama, gjithashtu edhe kreut të Kuvendit Ilir Meta, që kanë qenë edhe vet pjesë e sportit, ministres gjithashtu siç na ka premtuar, që të bëjnë diçka. Të vlerësojnë medaljet dhe arritjet tona dhe të kthejnë kokën nga sporti, pasi nëse ata japin një kontribut më të madh, edhe medaljet tona do të jenë më të shumta për Shqipërinë”, deklaroi Romela Begaj.
Gjatë pritjes, që ministrja e Arsimit dhe Sportit u bëri dy kampionëve të peshëngritjes, Daniel Godelli dhe Romela Begaj, Lindita Nikolla nënvizoi se është gati një fond prej 6.5 milionë dollarësh për të ndërtuar një palestër moderne në Tiranë, dhe se do të shkelet vendimi i qeverisë “Berisha”, për të mos shpërblyer kampionët vetëm në stilin e shkëputjes, ose të shtytjes. / Top Channel