Nxënësit mbeten në kushte katastrofale “falë” procedurave burokratike!

Shkolla fillore periferike “Vasil Glavinov” në Slivnik të Velesit, vazhdon të ndjek mësimin në kushtet e mjerueshme, kurse nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ende nuk është shpallur tenderi për ndërtimin e një shkolle të re edhe pse kohë më parë ministri Abilaqim Ademi premtoi se ky projekt do jetë superior.

“Ministria do të vazhdojë me investimet në rikonstruimet e objekteve aty ku ka nevojë dhe në bazë të prioriteteve. Prioritet për neve mbetet shkolla e Slivnikut në Komunën e Velesit, me qëllim që t’ju krijojmë kushte të njëjta nxënëse pavarësisht se ku mësojë ata” tha kohë më parë ministri i Arsimit.

Mësimdhënësi pranë kësaj shkolle, Qemal Musa bën të ditur për Portalb, se ende nuk ka asnjë informacion lidhur me projektin e ndërtimit gjë që e premtoi vetë ministri pas bojkotimit të mësimit të nxënësve të kësaj shkolle.

“Ministri ishte këtu e pa se në çfarë kushtesh punojmë dhe mësojnë fëmijët, ai premtoi se ky problem do të zgjidhet dhe ne kemi besim në të. Sa i përket tenderit ende nuk e dimë se a është shpallur mirëpo jo zyrtarisht mësojmë se ende nuk kanë arritur në komunë dokumentacioni i duhur i MASH, për fillimin e përgatitjes së projektit”, tha për Portalb, Musa.

Kurse zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski bën të ditur për Portalb, se komuna e Velesit ende nuk i ka përfunduar gjitha procedurat ligjore dhe për këtë arsye ende nuk është shpallur tenderi.

“Jemi në pritje që të përfundojë komuna procedurat ligjore dhe më pas mund të shpallim tenderin për ndërtimin e kësaj shkolle”, tha për Portalb, Galevski.

Musa shtoi se shpresa ekziston, por nëse nuk realizohet projekti, mësimi sërish do të ndërpritet për shkak të kushteve të mjerueshme.

“Kushtet janë të mjerueshme kështu më nuk shkon. Të gjithë kanë treguar vullnet që të na ndihmojnë dhe jemi në pritje dhe kemi shpresa. Mirëpo nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë këtë vit shkollor do e përfundojmë disi, por vitin e ardhshëm vetë prindërit nuk i lejojnë fëmijët që të mësojnë në këto kushte”, tha Musa.

Në këtë shkollë mësojnë 84 nxënës të ndarë në 5 paralele, dhe momentalisht kanë vetëm një klasë dhe një klasë të improvizuar në të cilën ndjekin mësimin në tre ndërrime. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button