Hapet Kulla e Lirisë, godina më e lartë në Nju Jork!

Edhe rojet e sigurisë ishin të përlotur sot, teksa Kulla e Lirisë nisi të mbushej me njerëz. 175 personat e parë nga stafi prej 3400 vetësh i kompanisë botuese, “Condé Nast” hynë në histori si personat e parë që mbushën godinën që zyrtarisht do të njihet si Qendra Tregtare Botërore 1.

13 vjet pas sulmeve ajrore nga të cilat u shembën edhe dy Kullat Binjake, nga ku humbën jetën 2753 persona, Manhatani tashmë do të ketë ndërtestën e saj të re më të lartë, që simbolizon kështu më së miri qendresën e Shteteve të Bashkuara ndaj terrorizmit.

Godina 104-katëshe ngrihet 541 metra e lartë, dhe zë një sipërfaqe prej mbi 320 mijë metra katrorë. Ndërtimi i saj kushtoi 3,9 miliardë dollarë.

Megjithatë, për shumë vetë, Kulla e Lirisë do të sjellë edhe shumë përfitime ekonomike për Manhatanin e poshtëm, që pritet të ringjallet si një zonë biznesi, për t’i bërë kështu konkurrencë zonave të tjera më të frekuentuara të lagjes më të famshme të Nju Jorkut.

Kulla e Lirisë do të jetë në pronësi të Autoritetit Portual të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, si dhe Organizatës Durst, një kompani familjare që operon në industrinë e pasurisë së patundshme.

Mes kompanive dhe subjektëve të tjerë që do të kenë zyra aty do të jenë forcat xheniere të Ushtrisë Amerikane, Dogana e SHBA-së dhe Mbrojtja Kufitare, si dhe një China Center, një ndërmarrje për marrëdhëniet amerikano-kineze. Kompanitë që duan të kenë zyra aty sërish interesohen për sigurinë, edhe pse jo më si para dhjetë vitesh, kur plagët nga sulmet e 11 shtatorit ishin ende të hapura./ Oranews

Lajme të ngjashme

Back to top button