Pas sulmit në parlamentin kanadez, SHBA rrit sigurinë në godinat qeveritare

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rrisin sigurinë në godinat qeveritare në Uashington dhe qytete të tjera për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga terroristët dhe sulmet e javës së kaluar në parlamentin kanadez.

Lajmin e konfirmoi të martën Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare. Një zyrtar bëri të ditur se nuk ka asnjë informacion konkret për ndonjë godinë apo institucion që të jetë vënë në shënjestër të terroristëve, por në rrjetet sociale ka pasur shumë thirrje për të sulmuar SHBA-në nga mbështetësit e Shtetit Islamik dhe Al-Kaedas.

Duke mos bërë të ditur identitetin, zyrtari konfirmoi se masat po merreshin pas një sërë kërcënimesh nga militantët që mbaheshin në monitorim nga disa agjenci sigurie në vend.

Ndërkohë, Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Xheh Xhonson, lëshoi një deklaratë për t’I dalë në mbrojtje rritjes së masave të sigurisë.

“Duke parë ngjarjet e ndodhura nëpër botë, kujdesi na dikton që të rrisin gatishmërinë për të mbrojtur godinat qeveritare amerikane dhe personelin tonë”, tha Xhonson.

Ndërmarrja e masave i është besuar Shërbimit Mbrojtës Federal, i cili mbulon më shumë se 9500 godina qeveritare. Xhonson paralajmëroi shërbimet e sigurisë federale dhe të shteteve të veçanta që të qendronin në gatishmëri sidomos për sulme të izoluara si ato të ndodhura në Kanada javën e kaluar./ Oranews/

Lajme të ngjashme

Back to top button