Shiu i Nëntorit (2)

Pa e ditur as vetë pse, ndoshta  thjesht për shkak të shiut  Lizës  i erdhën ndër mend fjalët e këngës së Gun`s  and Roses ,të cilën ajo e pëlqente aq shumë..

 “Or I` II just end up walking …
                In the cold November rain…” 

Ndoshta edhe unë do të vazhdoj të eci nën shiun e ftohtë të nëntorit – mendoi. Sa do i rrëmbyer të jetë. Kapërceu bulevardin ,, Maqedonia,, dhe doli në rrugë për të ndaluar ndonjë taksi.  Mund të priste edhe autobusin, po të vinte.  Po nuk vinte asnjëri.  Nuk kishte as taksi.  Liza nuk e kuptonte pse pikërisht  në momentet kur ke më së shumti nevojë, si për inat nuk të ndihmon asnjeri.  U struk nën çadrën gjysëm të thyer të stacionit të autobusit ,po shiu e lagte edhe aty. Sikur ti tregonte se kudo që të fshihej ,thashethemet e kësaj historie do ta gjenin përsëri.  Liza vetëm tani kuptonte peshën e një historie dashurie që nuk përfundon në fejesë.  Tani ishte totalisht e degraduar.  Me  zero prestigj.  Tani ishte vajzë e pandershme në sytë e shoqërisë. Vajzë me histori. Sa shumë paguajnë femrat për një dashuri .

Filloi të bubullojë dhe Liza e kuptoi se do të kishte edhe rrufe.  U struk dhe u mblodh grusht. Bubullimat i kujtuan britmat dhe ulërimat e të atit, kur të kuptonte dashurinë e saj të humbur.  A do të mund t`i mbijetonte kësaj bubullime ?  Nuk kishte vetëm zemrën e thyer.  Të thyera i kishte  të gjitha kockat.  Një djalë mund të përjetojë një thyerje zemre , po vetëm një vajzë përjeton thyerje kockash.

Papritur kaloi një makinë të cilën Liza e njohu. Ishte makina e një shokut të saj.  Doli e gëzuar nga ku ishte strukur dhe ia bëri me dorë të ndalet.  Me gjithë lotët dhe shiun që i binte në fytyrë ajo arriti të shquante fytyrën e shokut të saj që u zbeh për një çast.  Ai ndaloi një sekondë , i pa vendosur nëse duhej të ndalej dhe  pastaj i dha gas makinës e u nis duke bëre sikur nuk e njohu. Liza u shtang.  Nuk e kishte menduar as këtë.  Ndarjen e shoqërisë së tyre të përbashkët. Tani ishin si dy kundështarë. Ose je shok me Arianin ose je shok me Lizën. Ajo e ndjeu se edhe këtu do të fitonte prapë Ariani. Madje edhe me shoqet e saj. Është gjithmonë fajtore një femër kur prishet një dashuri. Ajo nuk ka aftësinë të mbajë pranë vetes një mashkull.

Një erë e fortë fryu nga ana e pasme dhe e rrëzoi Lizën në gjunjë. Mu  në  ato çaste kaloi një makinë me shpejtësi të madhe dhe e lau  me ujin e papastër që ishte mbledhur në rrugë.  Ajo shau. O Zot i madh ! A do të jetë vërtet kaq keq ?! A do të mi hedhin në surat të gjithë baltën dhe papastërtinë që mban toka ?! E ndjeu se do të sëmurej. Në rastin më të mirë ndoshta  ndonjë,, bronhit,,. Po Liza e di se ajo që vinte pas ishte më keq se kaq. E ndjeu se ishte vetëm. E vetme në gjithë këtë stuhi. Edhe shoqet do ta përbuznin. Nuk do ta quanin të denjë për tu shoqëruar me ta. Tani që ishte pa të dashur ato kishin edhe  frikë nga ajo. Mund t`u rrëmbente djemtë që ato dashuronin. Ishte e kohës kjo logjikë idiote vajzash. As këtu Liza nuk kishte ç`të bënte. Vetëm tani e ndjente peshën e një dashurie të shfaqur aq hapur dhe pa kujdes. Shoqëria shqiptare nuk do ta linte pa paguar njëqindfish çdo çast të asaj lumturie që ajo kishte përjetuar dikur.Shoqëria shqiptare  do gjithmonë të marrë hak për një lumturi të jetuar plotësisht.

U përmend kur pa autobusin. E hutuar me mendimet e saj se kishte ndjerë fare. Vrapoi pas autobusit po shoferi ia mbylli dyert mu para hundës së saj. U nis pa iu përgjigjur trokitjeve të saj të dëshpëruara  në xham. U kthye në çadrën e thyer të stacionit e dërmuar. Sa kohë kishte kaluar saktësisht as ajo vet nuk e dinte. I dukej sikur kishin kaluar miliona vjet.  Mbeti  ashtu e strukur vetëm në stacion. Madje as në rrugë nuk kishte asnjeri. Vetëm ajo dhe shiu i nëntorit. Nuk e ndiente më trupin e saj. As zemrën. I ndjeu , për çudi vetëm buzët e saj që nuk e di pse vërshëllenin ngadalë  këngën e saj që ajo e donte…

“Nothing lasts forever, even cold November rain…,,

,,Asgjë nuk zgjat përgjithmonë, madje as shiu i ftohtë i nëntorit…”

Lexo pjesën e parë: Shiu i Nëntorit 

Mirela Daci Hambari 

Lajme të ngjashme

Back to top button