Gjermania investoi rreth 900 milionë euro në Shqipëri
Gjermania në Shqipëria ka investuar rreth 900 milionë euro, ndërsa rreth 30 për qind e këtyre mjeteve, siç tha ministri Edmond Haxhinasto, kanë shkuar në investime të ujit
Derisa në Kosovë është Zvicra ajo që ka investua dhjetëra miliona euro në furnizimin e fshatrave me ujë, në Shqipëri është Gjermani e cila rreth 30 për qind të investimeve i ka çuar në ujësjellës. Kështu ka deklaruar Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.
Sipas tij, Gjermania është fokusuar në ato sektorë, të cilët sjellin një impakt shumë të madh në zhvillimin e vendit. Këtu sipas ministrit, uji zë një vend të veçantë, ku 30 për qind e investimeve kanë shkuar për fushën e ujit.
Ministri Haxhinasto i bëri këto komente në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës së Bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani, ku prezantoi disa nga strategjitë dhe sfidat me të cilat përballet sektori i ujësjellës – kanalizime.
Në total Gjermania, siç u tha, ka investuar ne Shqipëri rreth 900 milionë euro.
Ndërkohë si sfida të bashkëpunimit ministri Haxhinasto përmendi rritjen e efiçiencës energjetike të sistemit, uljen e humbjeve në rrjet, rritjen e aftësive profesionale të drejtuesve dhe kapaciteteve njerëzore, por “edhe sjelljen e një kulturë të re të qytetarëve”.
“Ne do të shohim mënyrën e agregimit të shpejtë të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve, me qëllim që edhe modelet e suksesshme që ne kemi, si ai i Korçës, Pogradecit po edhe i Berat-Kuçovës, të shtrihen më gjerë dhe të reduktojnë sa më shumë kostot administrative, të rrisin aftësinë menaxhuese të stafeve dhe kapacitetin investues të këtyre utiliteteve”, tha Haxhinasto, citon BW.