Hidhen poshtë kërkesat e shkollës së Batincës, Ademi u shkruan në gjuhën maqedonase

Kërkesës së shkollës fillore “Alija Avdoviq” të fshatit Batincë, Komuna e Studeniçanit, për hapjen e paraleleve të reja me qëllim të përmirësimit të kushteve të mësimit, ministri i arsimit Abdilaqim Ademi i është përgjigjur negativisht.

Në Shkollën Fillore “Alija Avdoviq” të fshatit Batincë, Komuna e Studeniçanit në vitin shkollor 2014/15 në klasën e parë janë regjistruar gjithsej 118 nxënës që e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe dhe 26 nxënës që e ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase (nacionaliteti boshnjak).

Sipas ligjit për arsim fillor një paralele duhet të këtë 34 nxënës, ndërsa në këtë shkollë një paralele ka gjithsej 40 nxënës. Sipas numrit të nxënësve të regjistruar dhe për tju mundësuar kushte më të mira për mësim Komuna e Studeniçanit dhe drejtoria e kësaj shkolle kanë dërguar një kërkesë deri te Ministria e Arsimit që të hapet edhe një paralele dhe kështu të krijohen katër paralele me nga 29 nxënës në përputhje me dispozitat ligjore dhe konform numrit të nxënësve të regjistruar.

Në arsyetimin e tij drejtuar kryetarit të Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, ministri I arsimit thotë:

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju informojmë se pas një analize të bërë duke e marr parsysh numrin e nxënësve nëpër klasë dhe paralele, numrin e kuadrit arsimor dhe personelit teknik është konstatuar se kërkesa për shkollën fillore “Alija Avdoviq” është e pa bazë”.

I habitur nga ky qëndrim i ministrit të arsimit Abdilaqim Ademi, kryetari i Komunës së Srudeniçanit Azem Sadiki thotë se edhe njëherë u dëshmua se fëmijët e shqiptarëve janë më pak të vlefshëm se të maqedonasve kur kyhet parasysh fakti se nëpër viset e pazhvilluara maqedonase por edhe në disa qytete provinciale vetëm për një ose dy nxënës maqedonase hapen paralele dhe punësohen arsimtar po nga ministria e Ademit.

“Është shumë tragjike kur detyrohen fëmijët të mësojnë në kushte jo normale dhe jasht ligjore. Ligji për arsim fillor qart e përcakton numrin e nxënësve nëpër klase. Për deri sa për maqedonasit punsohen arsimtarë dhe hapen paralele edhe vetëm për një nxënës të vetëm, për shqiptarët nuk vlen kjo. është shumë tragjike kur vetë shqiptari e thyen ligjin për shqiptarët”, thotë Sadiki.

Kryetari Sadiki po ashtu konsideron se Abdilaqim Ademi thyen edhe ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni.

“Lëre që nuk ju mundësonë nxnësve kushte për mësim, Ademi thyen edhe ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe pasi që arsyetimin e tij na ka dërguar vetëm në gjuhën maqedonase”, u shpreh kryetari i Komunës së Studeniçanit Azem Sadiki.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button