Braçe replikon me Koçijançiç:`Vritini shqiptarët` i dëgjove?

Deputeti socialist, Erjon Braçe, reagoi ashpër dje ndaj reagimeve të ndërkombëtarëve për ndeshjen midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Në disa postime në rrjetin social “Facebook”, ai kritikoi qëndrimin e zëdhënëses së baroneshës Catherine Ashton, Maja Koçijançic, e cila u shpreh se policia serbe u tregua profesioniste gjatë ndeshjes Serbi- Shqipëri.

“Policia serbe u tregua profesioniste. Jam e zhgënjyer për ndërprerjen e ndeshjes pasi eventet sportive nuk duhet të ngatërrohen me politikën. Bashkimi Evropian nuk ka lidhje me incidentin”, – u shpreh Koçijançiç.

I menjëhershëm ishte reagimi i Braçes.

“Vraje, there shqiptarin që të mos ekzistojë” – postojani Majës këtë këngë të të gjithë stadiumit serb dhe për 41 minuta rresht. Postojani dhe Plainisë! Postojani dhe Blaterit! Ta dëgjojnë njëherë, pastaj të flasin për provokime!”, – u shkruante dje Braçenë “Facebook”, miqve të tij.

Më herët, ai reagoi ndaj deklaratave të zëdhënëse së Ashton:

“Po Maja, po. Politika nuk mund të drejtohet nga provokimet e stadiumit, por politika nuk mund të drejtohet nga të pavërtetat që shpiken për qëllime politike! Si the? Policia serbe reagoi me profesionalizëm?! Ke parë gjë Maja, apo po këndoje kund?! Kush e ruante rrethimin e fushës, ne shqiptarët? A e pe policinë serbe si lejoi gangsterët e ‘Ivanit të Tmerrshëm’ të godisnin Bekim Balën e Shqipërisë? A e pe policinë serbe si lejoi vetë gangsterin Ivan të hynte në fushën e lojës me bandën e tij? Madje duke këshilluar policinë profesionale serbe të rrinte urtë!”, shkroi Braçe, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të zëdhënëses së Ashton.

Deputeti socialist, herët shkroi një tjetër status, duke u treguar miqve të tij se kishte parë ambasadorin serb në Tiranë duke shkuar qetë-qetë në punë si ai vetë.

“Ai për në punë dhe unë për në punë! Të barabartë e të respektuar! Këta jemi ne, shqiptarët autoktonë të Evropës! Unë them se e kemi një detyrë: t’i ndihmojmë fqinjët të çlirohen vetë nga gangsterët me të zeza, që shpesh marrin peng të përditshmen normale të tyre! Të mos harrojmë, këto banda ju kanë vrarë dy kryeministra!”, – shkroi Braçe.

Lajme të ngjashme

Back to top button