I gjori rektor! Pse?

I gjori rektor dhe i gjori kryetar i Unionit Studentorë. Bashkëpunimi juaj komercial mund të frymojë po deshët edhe gjatë gjithë jetës, por ama lidhja juaj dhe partneriteti i mirë prej vitesh nuk mund të shkoj gjithnjë duke mbajtur ju “pushtetin”. Vendimet e përbashkëta që i sillni për qëllime dhe interesa personale (dhe pjesë-pjesë grupore), duke i djegur studentët dhe duke i kërcënuar ata në një far forme, nuk janë asgjë tjetër përpos krime për të cilat nuk ka kush të ju kërkon llogari. Por kjo nuk do të thotë se gjithë do të shkoj kështu. Nga ana tjetër edhe nuk  e ka shkëlqesia juaj fajin, por studentët. Është e vërtetë se heshtja është arë, por kur heshtin studentët ajo është baltë.

I gjithë qëllimi i studimeve në USHT qenka 100 denarë! Së paku unë kështu po e perceptoj. Nga vetë fakti se i gjithë viti akademik vihet në sprovë për 100 denarët e Unionit Studentorë. Po kush na qenka ky Unioni Studentorë, e pafshim në djall të mallkuar?! Unë as që ia kam parë sytë e aq më pak veprat këtij Unioni që është dorë e zgjatur e juaja për qëllime tuaja. Pse duhet unë të paguaj? Vetëm se i është tekur njërit nga ju që të mbushni arkën? Si guxon të kërcënohet studenti me mos vërtetimin e semestrit të ardhshëm në rast mos pagimi të taksës për Union Studentorë? I gjori rektor, çfarë lidhje ka Unioni Studentorë si organizatë e “pavarur” dhe që funksionon veçmas nga Universiteti? Atëherë, pse nuk kushtëzon Unioni Studentorë pagimin e një takse shtesë për semestrin? Kush jeni ju të kushtëzoni studentet? Gjeneral i ushtrisë së vdekur!

Para se të ua drejtoj  edhe disa pyetje juve rektor dhe juve kryetarë “old timer” i Unionit Studentor, dua t’ju jap disa arsye se përse, studentët e fakulteteve të disperzuara, e posaçërisht ata të Shkupit nuk duhet dhe nuk kanë për se të paguajnë taksën për Unionin Studentor!
Ju, i nderuar rektor, në USHT-në e disperzuar në Shkup vini vetëm në fillim të vitit akademik. Sigurish që për tu njohur me taksapaguesit e ardhshëm. Mese 5 vite ne kemi studiuar në hapësirat të cilat ju si lokalistë i keni bërë bodrume për mjete e shkatërruara! Kjo është e vërtetë apo jo? Nga mese 30 grupe nga të gjitha programet, kemi përdorur 3 projektorë.  Asistentët çdo ditë ankohen për mungesë të pagave, të cilat i lëshohen në xhirollogaritë e tyre çdo 6-9 muaj. Administratorja Olivija e Popajit (Dragana), lobon dhe negocion me profesorët me mish e shpirt, për t’i marrë nota studentëve maqedonas që “studiojnë” në USHT-ën e disperzuar në Shkup. Studentët kushtëzohen që të paguajnë “botimet” e psikopatëve të ndryshëm akademik, që të mund të marrin nënshkrimin dhe t’i nënshtrohen provimit. E shumë çështje tjera që ju i dini, por janë gjëra jeshile për ju në të cilat i pushoni sytë, i gjori rektor.

Po jua drejtoj disa pyetje, për të cilat kisha dashur të merrja përgjigje nga shkëlqesia juaj, që më pas t’i demantoja që nga e para. Por e di që një gjë të tillë nuk e bëni, pasi që keni mungesë të argumenteve.

Pse nuk i jepni shpjegim studentëve të FSHMN-së në Shkup dhe Kumanovë, për çfarë arsye nuk kanë filluar të mbajnë ligjërata dhe pse prolongohet zgjidhja e problemit të tyre? Pse nuk i mundësoni takim me dekanin dhe me juve rektor, studentëve, zëri i të cilëve has në veshin tuaj të shurdhër? Pse i keni gënjyer profesorët që ligjërojnë në Tetovë, duke i thënë se do të vijnë studentët nga Shkupi dhe Kumanova dhe ligjëratat do t’i mbajnë në Tetovë? Pse e keni kërcënuar Iniciativën Studentorë, të cilët me gjitha forcat u munduan për të mbetur në Shkup, për të mbetur aty ku ju ja keni mundësuar vendin e studimeve dhe aty ku ata vetë e kanë zgjedhur? Pse e larguat nga puna profesorit që ligjëronte “Hyrje në Ekonomi”, pa i dhënë as të vetmin shpjegim dhe arsye? Kur do të “lansoni” edhe afatin e gjashtë dhe shtatë të provimeve, të cilat afate nuk janë gjë tjetër, vetëm se lodhje për profesorët dhe mundësi profiti për ju? Thjeshtë komercializëm serik! Dhe së fundi, a do të pajtoheni me idenë e testimit ekstern dhe kështu të shkelni kryekëput Sistemin e  Bolonjës, e posaçërisht programet 3 vjeçare?

Vendimi juaj dhe i Unionit që është krahu i djathtë i juaj, është plotësisht në kundërshtim me rregulloren e Universitetit. Në rregullore thuhet se çdo vendim duhet marrë bashkërisht përmes debatit, duke përfshirë të gjitha palët. Ju kë e përfshitë? Në bashkëpunim me kë vendosët? Në bazë të cilit akt e morët një vendim të tillë? Apo e bëtë më bazë të parimit “interesa personale, kolektive”. Kjo nuk është asgjë tjetër përveç se tendencë për të shkelur “përkUSHTimin e të ardhmes”. I gjori rektor! Të mjerët studentë!

Lajme të ngjashme

Back to top button