Bosnjë: 72 për qind, rekord i të papunëve të rinj në Evropë

Njerëzit në Bosnjë e Hercegovinë janë të pakënaqur me politikanët e tyre. Në veçanti raporti midis të ardhurave të popullsisë dhe elitave politike i ka zemëruar qytetarët edhe para zgjedhjeve. Sipas autoriteteve tatimore të vendit, ku paga mesatare është më pak se 400 euro, një pensionist merr vetëm rreth 150 euro në muaj. Por anëtarët e elitës politike mund të fitojnë deri 3.000-5.000 euro në muaj.

Edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të dielën nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim të gjendjes së vështirë ekonomike të vendit, në të cilin pothuajse një ndër çdo dy qytetarë nuk ka punë. Papunësia e të rinjve është shumë e lartë, deri në 72 për qind, një rekord i trishtuar në Evropë. Nga protestat sociale tani u shfaq një lëvizje e vogël politike “Partia e parë”, e cila thekson karakterin shumetnik të saj. Në radhët e të rinjve është i preferuar edhe një grup popullor social-liberal “Partia jonë”, por suksesi i tyre në zgjedhjet e së dielës ndoshta nuk do të jetë shumë i madh. Nga protestat mund të përfitojnë edhe partia e qendrës së majtë “Fronti Demokratik” dhe “Partia për një të Ardhme më të Mirë,” e magnatit të medias Fahrudin Radonçiq. Kjo e fundit u drejtohet në mënyrë të qartë boshnjakëve myslimanë të vendit. Anketat tregojnë se partitë me orientim etnik të boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve mund të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme përsëri shumicën e votave. Shumë kritikë i akuzojnë ato se nxisin ndjenjat nacionaliste në mënyrë që të marrin sa më shumë vota nga radhët e etnisë së tyre.

Bosnja e Hercegovina përbëhet nga dy të ashtuquajtura “etnitete”, pra njësi administrative, në të cilat që të tri “kombet konstituive” gëzojnë të njëjtat të drejta dhe do të vendosin për fatin e vendit, percjell DW. Këto struktura u krijuan në vitin 1995, me marrëveshjen e paqes së Dejtonit, e cila shënon fundin e luftës së përgjakshme të Bosnjës. Sot askush nuk është i kënaqur me Marrëveshjen e Dejtonit, sepse rezultati i ndarjes së pushtetit sipas parimit etnik pati pasoja shkatërruese për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Prej parimit të ndarjes së barabartë të pushtetit është shkaktuar një paralizë e pushtetit.

Po ashtu të gjitha iniciativat për përmirësimin e këtij konstrukti të komplikuar shtetëror të vitit 1995 nuk kanë sjellë asgjë dhe paraliza politike dhe ekonomike e shtetit vazhdon. Korrupsioni është i shfrenuar dhe ka pak investime në infrastrukturë. Dhe me sa duket në këtë drejtim nuk do të sjellin asnjë ndryshim as zgjedhjet e tanishme.

Lajme të ngjashme

Back to top button