Autorët në hall, të shkruajnë apo të paguajnë përkthyesin

Një prej konkurseve më të fundit të shpallura nga Ministria e Kulturës për blerjen e teksteve dramaturgjike, me qëllim stimulimin dhe afirmimin e krijimtarisë dramatike vendase, i ka vendosur në pozita të disfavorshme krijuesit shqiptarë. Kushti që teksti të prezantohet në gjuhën maqedonase, sjell angari të panevojshme dhe shpenzime shtesë për një dramaturg, të cilit i duhet të angazhojë një përkthyes dhe të harxhojë gati gjysmën e shpërblimit që mund të fitojë ose jo nga MK, në rast se vepra e tij do të përzgjidhet si fituese. Rregullat janë absurde për shumë artistë shqiptarë, sipas të cilëve një formë e tillë është një mundësi e humbur për shqiptarët. Krijuesi Xhabir Ahmeti thotë se për çështje të tilla, nëse qëllimi është vërtet stimulimi i veprimtarisë krijuese, duhet që të merren parasysh vështirësitë e kësaj natyre dhe t’i hapet rruga edhe autorëve shqiptarë, njëlloj si të tjerëve, shkruan gazeta KOHA.

“Ky konkurs tregon se gabime të kësaj natyre kalojnë pa u vënë re nga pushtetarët shqiptarë, të cilat duhet të kujdesen për këto hollësi. S’e shoh askund logjikën që teksti të dorëzohet në maqedonisht dhe jo në shqip dhe të mos krijohet barazi për të gjithë konkurruesit. Nëse shpërblimi është 100 mijë denarë, në rast se konkurruesi do të fitojë atij automatikisht i përgjysmohet shuma e fituar, pasi do të duhet të angazhojë një përkthyes. Po në rast se nuk fiton? Prandaj edhe nuk besoj se mund të konkurroj ndonjë shqiptar”, thotë Ahmeti.

Sipas tij, forma më e mirë do të ishte krijimi i një komisioni për vepra letrare në gjuhën shqipe brenda MK i cili do të shqyrtonte propozimet pa qenë nevoja e përkthimit të tyre edhe në maqedonisht. Për një tjetër artist dhe regjisor kushti është më shumë se i pabarabartë.

“Vepra duhet të prezantohet në shqip, në origjinal, jo të përkthehet, a kërkohen vepra origjinale? Një gjë e tillë flet për një pabarazi totale. Dhe nuk është se bëhet fjalë vetëm për këtë konkurs, por edhe për atë për Programin nacional, pse duhet të angazhoj përkthyes që të përkthej veprën. Kjo gjë është absurde dhe e shohim përditë, jo vetëm në kulturë, problemin me shqipen”, thotë Bajrush Mjaku.

Stimulimi i dramaturgëve është edhe një prej çështjeve më esenciale të skenës shqiptare. Mungesa e fondit me vepra bashkëkohore, pasqyrohet me mungesën gjithnjë e më të madhe të veprave nga autorë shqiptarë që vihen në skenë. Duke e lënë të hapur debatin për mungesë dramaturgësh, stimulim të krijimtarisë dramatike apo regjisorësh që preferojnë më shumë të vënë në skenë vepra të “gatshme”, duke anashkaluar edhe ato pak vepra e autorë që kemi.

Lajme të ngjashme

Back to top button