Pse t’mësojmë?

Ajo ndjenja, po sa e merr librin në dorë për të mësuar, ndërkohë parashtron pyetjen vetes “a thua vallë pse kam nevojë të mësojë e studioj”. Është një pyetje provokative në shikim të parë, por ndoshta edhe e palogjikshme, por jo edhe e pakuptimtë. Pa dyshim se mësimi dhe studimi është pasuria më e madhe në botë për çdo njeri. Se sa është e rëndësishme të mësosh dhe studiosh dëshmon fakti që në librin e shenjtë të fesë më të dashur të Krijuesit, asaj islame, Kuranin, nuk hasim diç tjetër në hyrje të këtij libri përpos fjalës “Ikra” (mëso, studijo).

Nuk kam se si ti përshkruaj ndryshe dobitë nga leximi dhe mësimi, por në mënyrë që të mos keqkuptohemi në vazhdimësi të tekstit pasi që do të tingëllojë trishtuese dhe kontroverse nëse ju drejtohem me këshilla të llojit “Mos mëso, Mos studijo”, meqë mundesh edhe pa to, do t’ju jap disa shembuj. Kështu mundën shumë e shumë, administrator, profesorë, drejtorë e biznismen, më lehtë se këto edhe politikan. Në çdo shoqëri civilizuese bashkëkohore të shteteve perëndimore mjeti i pathyer dhe premtues për realizimin e ambicieve të njeriut është arsimimi, mirëpo këtu tek ne punët qëndrojnë ndryshe.

Po edhe nëse nuk do e zbuloj këtë “ndryshen” pa dyshim që opinioni tash më është i vetëdijshëm se libreza partiake është qelësi i dyerve të çelikta, dyer që vështirë depërtohen pa etiketimin e autoritetit personal në baza partiake. Mirë, atëherë do të shkoj të anëtarësohem në strukturat e ndonjërës nga subjektet politike, dhe çfarë?!., por ama edhe kjo nuk mjafton, tani duhet të kaloj në fazën e dytë në të cilën duhet përmbushur disa kushte tjera në mënyrë që të shpërblehesh me ndonjë punësim eventual. Cilat janë ato kushte?! Autoriteti juaj dhe i familjes sate duhet nënshtruar “autoritetit” të personave me nivel minimal arsimor, por fatkeqësisht përgjegjës dhe shef i suksesit tonë. Ka edhe prej atyre të shkolluar dhe që detyrohen të ngjiten shtizave për të vendosur pllakat e liderëve partiak, ose të vendosin flamujt e partive, si dhe të brohorasin emrat e funksionarëve politikë, meqë prej tyre krejt në fund varet punësimi apo shpërblimi.

Andaj në asnjë mënyrë të mos mashtrohet rinia jonë me këto praktika të zymta duke lakmuar arritjen e posteve të larta pa bazë arsimore. Mirëpo kjo rini duhet të krijojë një koncept të ri të qeverisjes së shoqërisë, koncept i cili do të jetë i ndërtuar mbi baza të kuadrove të shëndosha arsimore dhe morale. Si asnjëherë më parë ndjehet mungesa e përfaqësimit institucional nga personat kompetent, si asnjëherë më parë mungon niveli i respektit për shoqërinë e arsimuar, si asnjëherë më parë na ka kapluar errësira dhe ne sërish jemi të njëjtit, pa vullnet dhe dëshirë për një të ardhme më të mirë. Kujtoni o popull, kujtoni që edhe ju do jeni përgjegjës para Zotit, përgjegjës për gabimet dhe amoralitetin e pushtetarëve tanë, meqë ata ulen në kolltuqet e tyre ngase ne ua kemi besuar mandatin me kokrën tonë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button