Hoxhaj: PDK-LDK-AAK të bëjnë marrëveshje

Kosova gjendet në një ngërç politik që pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat nxorën fituese si parti PDK, por nuk i dhanë shumicën për të qeverisur. Për Ministrin e Jashtëm në detyrë Enver Hoxhaj, klasa politike kosovare ka humbur atë vlerë që e dallonte nga rajoni dhe Shqipëria, konsensusin politik.
Dhe këtu ai i referohet bllokut opozitar,liderët e të cilit thotë ai, nuk denjojnë as të ulen në tryezë bisedimesh me PDK.

“Vendi ka nevojë për një stabilitet. Ajo çfarë e ka karakterizuar Kosovën në këto 7 vite të pas pavarësisë është parashikueshmëria. Kemi pasur gjithmonë peisazhin më stabil politik në rajon, më stabil se Shqipëria.

Situatën që e kemi aktualisht në Kosovë dhe të katër liderët janë njerëz që kanë humbur zgjedhjen dhe tani pretendojnë. Ne se kemi shumicë aktuale Ky grup liderësh nuk janë të gatshëm as të ulen të bisedojnë me PDK në një kohë kur ne bisedojmë me Beogradin. Nuk demonstrojnë kulturë politike”.

Pyetjes se çfarë ka Hashim Thaçi që ka bërë bashkë liderët e 4 forcave politike kundër tij, Hoxhaj i përgjigjet:

“Fitoret e tij nga 2004. LDK nuk ka fituar zgjedhje prej 10 vitesh. Lidershipi i zotit Thaçi, me të gjitha përparësitë dhe mangësitë që mund të ketë, ka bërë që vendi të ketë stabilitet politik dhe rritje ekonomike. Reagimi i tyre është më shumë reagim në humbjen e tyre individuale si liderë politik, sesa xhelozi individuale”.

Në emisionin “Jamais Vu” përballë gazetarit Mustafa Nano, Hoxha ka një recetë se si mund të tejkalohet kjo situatë.

“Receta ime do të ishte që në situatën që jemi duhet të kemi një marrëveshje me një bazë sa më të gjerë. PDK së bashku me Lidhjen Demokratike dhe Aleancën të shohin mundësinë të nxjerrin vendin nga ngërçi politik ku ka hyrë. Së dyti të kemi një qeveri që duhet të adresojë reformat më kritike për çështjet më të rëndësishme në vend.

Së treti një qeveri që çon më tej dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe çështjet kyçe të politikës së jashtme. Besoj që brenda disa javësh, por jo javën e ardhshme, ne mund ta tejkalojmë këtë situatë politike. Nëse nuk do jemi në gjendje të menaxhojmë këtë krizë politike Kosova mund të ketë një degradim të jetës së saj shtetërore, ekonomike dhe mund të ketë kthim prapa”.

Është folur shumë për terrorizimin dhe xhihadistët kosovarë, por Enver Hoxhaj nuk njeh “luanin” Lavdrim Muhaxheri.

Dhe pse pranon të ketë dëgjuar për të, figurën e tij e pa për herë të barë në “Jamais Vu” .Dhe reagimi nuk ishte aspak pozitiv, aq sa e përshkroi me këto fjalë “i neveritshëm dhe i shëmtuar”.

“Një pamje të tillë nuk e kam parë asnjëherë, po e kam dëgjuar se kush është. Si pamje mund të them se është pamje e shëmtuar, nuk e prezanton Kosovën si shtet dhe si shoqëri, është kundër vlerave që ka pasur Kosova. Është pamje e neveritshme, e shëmtuar. Ky është qëndrimi që mbaj si Ministër i Jashtëm dhe si akademik. Ekziston një numër rreth 100-150 shqiptarë jo vetëm nga Kosova por dhe nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Nëse e krahasojmë me vendet europiane, numri është shumë më i vogël në Ballkan. Por si pamje është e shëmtuar dhe dëmton Kosovën. Ne kemi marrë disa vendime të rëndësishme, kemi sjellë një ligj që parandalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë vendit, kryesisht në Siri dhe Irak. Po kështu ka pasur arrestime të personave që merreshin me rekrutimin e tyre. Kjo ka të bëjë me sigurinë kombëtare”./Oranews.tv/.

Lajme të ngjashme

Back to top button