Histoarkitektonika patologjike e politikës në Maqedoni

Në një diskutim me një nga profesorët e mi, para tre vitesh përafërsisht,pashë që vërtetë çdo gjëje i qasem përmes zhargonit medicinal;  kështu duke filluar nga Moldvalseni i Trebeshinës e deri tek udhëheqësit politik. Meqë po diskutonim për ngjarjet politike aktuale,unë tentoja ta zhvishja disi nga ideologjia komuniste dhe vazhdimisht vëreja që po më qortonte për paralelizimin linguistik që i bëja shkencores dhe metafizikës.Unë e kundërshtoja,normalisht sepse qe komunist por, e dija që të gjitha bindjet e mija kanë filluar dhe kanë mbaruar në bazat shkencore. Asnjëherë empirike.  Andaj, e zgjodha këtë titull.

Maqedonia gjithmonë i ka takuar atyre vendeve “stuck in between”  të çdo procesi si social, politik njashtu dhe kulturor.  Një fëmijë me çrregullim bipolar më saktësisht,  prindi i të cilit u krijua nga diplomacia e fuqive të mëdha më 1918 në Versajë- Serbia e cila më vonë u quajt Jugosllavi.  Nga prindi,  disi mësoi hegjemoninë absolute,  diktaturën dhe mospërfilljen-strategji këto që u shtresuan thellë në trurin e ashtëquajtur maqedonas.  Si e tillë, Maqedonia nga një gjendje infantile  nëse do mundem ta quaj,  u pranua më pas si republikë e veçantë në kohën e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, duke u pagëzuar si Maqedoni kurse më 1991 shkëputet nga Federata Jugosllave në mënyrë paqësore. Kështu shpalli pavarësinë e saj,  të harruar tashmë. Ky shtet nuk ka ekzistuar gjatë dy mijë vjetëve të fundit evropian andaj sot e kësaj dite ballafaqohemi me kompleksin e ndërtimit të një kulture që kurrë s’ishte e tillë.

Trazirat në Maqedoni s’ishin diçka që nuk u panë nga ndërkombëtarët e asaj kohe; përkundrazi, absurditeti qëndron në atë se diplomatë e politikanë të ndryshëm favorizonin Maqedoninë duke e ndihmuar financiarisht e duke e pranuar në të gjitha konferencat ndërkombëtare.  U lavdërua pikërisht për një politikë të trashëguar diskriminuese dhe shoveniste,  që u përceptua nga ata përmes një dioptrie qesharake. 

Ky shtet i ri në Ballkan,  si atëherë dhe sot diskriminonte popullim më të vjetër të Ballkanit. Por, paqja duhej ruajtur…
Fenomeni “Pse u krijua dhe kush e krijoi Maqedoninë”  jo vetëm që u neglizhua,  por aso kohe (njëlloj si sot)  nuk u mendua fare. Partitë politike shqiptare pa ndonjë skenar të menduar,  u bënë (dhe janë) në esencë problemi i vetëm funksional i shqiptarëve dhe gjendjes së tyre. Arsyetimi i vetëm naiv që më bje ndërmend për ta mbuluar bashibuzukllëkun e politikanëve shqiptar të asaj kohe (1990-1991) do ishte që ata jo vetëm nuk kishin asnjë kuadër të profilit të përafërt me atë të politikajve maqedonas (rolet e të cilëve ishin të  ushtruara  në funksione me vite të tëra në Beograd),  por që as nuk mund të ishin nxënës të politikës.  Ata nuk kishin moshë sa kishte Gligorovi karierë politike.

E,  derisa dy partitë shqiptare vazhdonin të sorollateshin poshtë e lartë si fantazma të zbehta komuniste,  duke i bishtëruar diskriminimit dhe kërcënimeve që u bëheshin shqiptarëve,  partitë sllave radikalizonin politikën e tyre antishqiptare.  Ato u bënë rivale të njëra tjetrës dhe gabimi  themelor  qëndron në atë që garonin se cila do t’i fitonte zgjedhjet për pjesëmarrje në “bashkëqeverisje”.  Me kë vallë do qeverisnin?  Me LSDM-në e cila kishte grumbulluar intelektualët më të shquar të Maqedonisë,  apo me VMRO-në e cila ishte e shfrenuar e që shumica e ideologëve të saj kishin qenë të përbuzur gjatë gjithë komunizmit (shumë simpatizantë të saj qenë të dënuar për probullgarizëm).

Synohej për bashkëqeverisje, më dhoma gazi për shqiptarët ama.
 
 Sot realiteti multietnik është mykur nga një fjalor bajat si “integrim evropian”,  “multietnicitet”,  “mirëbesim” e më shumë terma të tjerë bajat që çorodisin psikologjikisht një masë të caktuar.  Lufta propagandistike psikologjike që na servohet mediatikisht në Maqedoni,  është e stërpërpunuar (e stërpaguar)  dhe akoma e përmbajtur nga ndërnacionalët.  

Si do që të jetë, unë gjithmonë besoj në mendjen kolektive të Shqiptarëve në Maqedoni; mendje e cila me kohë do të zgjohet nga kllapia përmes veprimit dhe percepcionit të hapur. 
Njeriu nuk do të duhej të definohet në sajë të historicitetit për të mbijetuar këtu në vendin tonë, sepse kemi shembullin e një shoqërie pa histori,  por në sajë të mundësisë permanente që t’i përjetësojë historikisht ndërprerjet që trondisin ngandonjëherë shoqëritë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button