Gjykatësi shkel ligjin, ende nuk shkruan aktvendimi për rastin Monstra?!

Gjykata ende nuk shkruan aktvendimin për rastin “Monstra”, edhe pas 30 ditëve që nga skadimi i afatit ligjor i cili ishte 60 ditë, familjarët e të akuzuarve janë në agoni.

Avokati mbrojtës Naser Raufi thotë se për vonesën e aktvendimit, gjykatësi mund të dënohet për keqpërdorim të detyrës, sepse shkel ligjin.

“Aktvendimi ende nuk është shkruar dhe kjo është shkelje e ligjit. Unë jam ankuar tek Ministri i Drejtësisë, tek kryetari i Gjykatës së apelit si dhe tek këshilli i Gjykatës themelore lidhur me këtë vonesë, por ende nuk kam përgjigje. Gjykatësi mund të akuzohet për keqpërdorim të punës zyrtare pasi që me mos kryerjen e punës në afatin e duhur bën delikt”, tha për Portalb, Rufiu.

Ai shtoi se gjykatësi kështu bëri edhe me vendimin, e vonoi disa herë me pretekste të ndryshme, por kjo nuk është e drejtë duke marrë parasysh se vonon procedurat dhe njerëz të pafajshëm qëndrojnë pas grilave. Sipas tij vonesa mund të ndodhë por jo kaq e gjatë dhe jo për një rast kaq serioz.

Gjithashtu edhe familjarët ankohen dhe thonë se që tre muaj nuk mund të shkruhet një aktvendim, i  cili ka bllokuar të gjithë procedurën.

“Ende jemi në pritje të aktvendimit, kjo nuk është në rregull qysh në gusht ka përfunduar afati për shpalljen e tij. Në këtë shtet asgjë nuk punon si duhet, të gjitha punët bëhen në mënyrë diskriminuese. Dënohen persona të pafajshëm, tani gjykata vonon aktvendimin se nuk është lehtë të shkruhet pa fakte, familjarët tanë të pafajshëm qelben burgjeve, kjo është Maqedonia”, tha për Portalb, Bedri Ajdari familjar i të dënuarve për rastin Monstra.

Asnjë nga kërkesat tona të parashtruara një muaj më parë nuk është realizuar madje as nuk janë marrë parasysh, vazhdon Ajdari.

“Asnjë përgjigje nuk kemi lidhur me kërkesat tona. Presion për mos organizimin e protestave si dhe peticionit nuk kemi pasur mirëpo me lëvizjet që janë bërë, me dënimin me tre vjet burg për protestuesit dhe mospërfilljen e kërkesave shohim se askush nuk është i interesuar për rastin tonë. Nuk kemi përkrahje nga askush”, tha Ajdari.

Ndërkaq peticioni është ende në fazën e përgatitjes pasi që sipas Ajdarit nevojiten mjete financiare dhe organizim i denjë. Mirëpo ai sërish shprehet pesimist duke thënë që demokraci në Maqedoni nuk ka dhe çfarë do që të bëjnë nuk merret parasysh nga institucionet shtetërore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button