“Book Challenge” – a jemi në gjendje të sfidojmë njëri tjetrin në lexim !?

Si duket ”Ice Bucket Challenge”, ai virus i dëmshëm i cili senzibilizoi të gjithë shoqërinë në një drejtim të caktuar dhe për qëllime të caktuara la edhe “pasojat” e veta, ku si rrjedhojë në mesin tone u përhap me të madhe fushata “Book Challenge”.Kjo, në sy të parë, i ngjanë atij tregimit të bretkocës e cila pasiqë e kishte parë kalin duke u mbathur,i zgjat këmbën nallbanit dhe dëshironte që edhe ajo të mbathet. Mirëpo, e mira e kësaj nisme është që permes një stili më veçse të njohur, të nxiten njerëzit që në vend të jetës virtuale, të kapen për librat e vërtetë, me kopertina dhe letër.

Në një kohë ku fatkeqësisht,shumë pak apo më mirë thënë aspak nuk po lexohet,ku libri është lënë në pluhurin e haresës, sfidimi nëpërmjet fushatës “bookchallenge” (e cila është pjellë e “icebucketchallenge”) me pretekst se gjoja do nxisë lexueshmërinë, ndoshta edhe do të kishte sukses nëse nuk merren parasysh rethanat reale të shoqërisë sonë.

Ndërsa rethanat reale tregojnë se jetojmë në një kohë ku jemi të lidhur ngushtë me botën virtuale,me zhvillimin e shpejt të teknologjisë përdorimin e kompjuterit dhe internetit kemi shumë informacion por fatkeqësisht pak dije sepse edhe diturinë e kemi shëndruar në fast-food,cdo shkrim mbi pesë reshta nuk lexohet dhe cdo video mbi pesë minuta nuk shiqohet. Që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, në universitetet tona merren diploma pa u lexuar as 10 libra në përgjigjësi.

Atëherë a jemi në gjendje të sfidojmë njëri tjetrin me lexim kur aspak nuk lexojmë?

Përgëzoj qëllimet e mira të kësaj nisme, por faktet e lartëpërmendura flasin që gabojmë nëse mendojmë se nëpërmjet fushatës “bookchallenge” kemi gjetur mënyrën për të ardhur deri te ngritja e vetëdijes për të lexuar.

Është më se e nevojshme të ketë një qasje serioze nga njerëz të përgjegjshëm dhe kompetentë për të kërkuar format,metodat dhe menyrat për të sjellë lexuesin pranë LIBRIT.

Dicka që do e bëj dallimin mes këtyre trendeve virtuale,do e kthej vëmendjen te bibliotekat që kanë thesar të diturive dhe ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes dhe zhvillimit mental të individit,grupeve të ndryshme dhe shoqërisë në përgjithësi, e jo ato të shëndrohen në vende antike.Me shpresë se e gjithë kjo do kontriboj që në të ardhmen LEXIMI do bëhet pjesë e kulturës tonë.

Po,unë do e pranoja sfidën kur të arrij të lexoj më shumë se 1000 libra.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button