Maqedonia nënshkroi marrëveshjen për ambasada të përbashkëta me Serbinë

Maqedonia dhe Serbia janë vende miqësore, ndërsa interes i përbashkët janë marrëdhëniet bilaterale të jenë aq sa është e mundur më të mira. Serbia e përkrah të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Ky rajon pa arsye me vite dhe dekada është nënvlerësuar në krahasim me pjesët e tjera të Evropës dhe për atë meriton sa më shpejtë të inkuadrohet në BE.

Këtë e deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë Ivica Daçiq, pas takimit të sotëm në Shkup me shefin e diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Poposki.

Daçiq dhe Poposki sot nënshkruan Marrëveshje për shfrytëzim racional të resurseve në raport të përfaqësive konsullare diplomatike të përbashkëta (PKD) në vendet e huaja. Pritet së shpejti të definohet se në cilat lokacione dhe në cilat vende ai bashkëpunim është i nevojshëm dhe i mundur.

Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Serbisë paralajmëruan se seanca e dytë e përbashkët e qeverive të të dy shteteve do të mbahet në Shkup në tetor ose nëntor të këtij viti.

Ministri Poposki mes tjerash potencoi se në pjesën e bashkëpunimit ekonomik është biseduar për çështjen e zhvillimit të turizmit, për Korridorin 10 dhe për zgjidhjen e tërësishme të autostradave dhe përparimin e lidhjes hekurudhore, por edhe për lidhjen energjetike të të dy vendeve.

Bashkëpunimi rajonal, gjithashtu ka qenë temë e bisedës në takim, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me kandidatët potencial për anëtarësim në BE. Konsiderojmë, theksoi Poposki, se pas këtyre çështjeve mundemi të kemi bashkëpunim mjaft të frytshëm.

“Ne jemi partnerë të mëdhenj ekonomik shumëvjeçar dhe duhet sa më shumë të punojmë së bashku në zhvillimin e atyre marrëdhënieve ekonomike. Vëllimi ynë i këmbimit është diku 850 milion euro në vit dhe duhet të punojmë së bashku të marrim pjesë në disa tregje të treta”, deklaroi Daçiq.

Krahas takimit me nikoqirin e tij, shefi i diplomacisë së Maqedonisë Poposki, Daçiq do të bisedojë edhe me presidentin e Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov dhe me kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanoski.

Lajme të ngjashme

Back to top button