Karkaleci (vëll. 1)

Kur mendoj për brezin tim, nuk kam se si të mos konstatoj që jemi një brez me të vërtetë shumë baksuz. Përkrah të gjithë konfuzitetit me të cilin u ballafaquam në rini, tani na duhej të ndodhte edhe kriza më e madhe ekonomike dhe financiare globale që ka njohur ndonjëherë historia.

Jemi gjeneratat që u rritën me realitetin e demonstratave të Kosovës, shembjes së komunizmit në Shqipëri, shkatërrimit të Jugosllavisë, luftërave të njëpasnjëshme, krizave sociale në Maqedoni pas privatizimit të kapitalit shoqëror dhe Shqipërisë së 1997… janë të panumërta fatkeqësitë e brezit tim. Pastaj kur këto rrethana historike nxjerrin të ashtuquajtur liderë, të paaftë dhe gjysmakë, në vend që të nxjerrin Napoleonë dhe Ruzvelltë, nuk të mbetet tjetër vetëmse t’i dorëzohesh rregullit të parë të Marfit: kur mendon që situata nuk mund të bëhet më e keqe, shko jeto në Ballkan. E si të mos ndjehesh i dëshpëruar dhe i pashpresë!

Lakmoj brezin e prindërve të mij. Ata dua t’i quaj Brezi i artë, sepse kërcënimet me të cilat u përballën ishin reale, të stërmëdha, të drejtpërdrejta dhe të pashmangshme: shkatërrimi dhe skamja pas Luftës së Dytë Botërore, inkuizicioni dhe krimet rankoviçiane jugosllave, robërimi i të drejtave elementare individuale dhe kombëtare, ndarja e ftohtë me pjesën më të madhe të kombit – me Shqipërinë përtej kufijve jonatyrorë. Sidoqoftë, ky brez ishte i madh sepse megjithë vështirësive dhe prospekteve të pamundshme, pati dhuntinë dhe guximin të ngrehej në protestat e viteve ’60 dhe ’80, të fliste dhe të shkruante shqip megjithëse një gjë e tillë ishte e ndaluar, të sfidonte fuqishëm dhe bashkueshëm tentimet për asimilim – të gjitha me një qëllim të vetëm, që brezit tim t’i sigurojnë një të ardhme më të mirë.

Shpeshherë shoh një fotografi të babait tim dhe shoqërisë së tij, të shkrepur besoj në vitet ’70 dhe thellohem në analizën e atyre fytyrave që qëndrojnë me aq krenari, të pestët, me trupa të drejtuar, të veshur si xhentëllmenë të vërtetë: sqima e të qenurit i madh, them me vete. Nuk ishin njerëz dosido: im atë gjykatës, dy të tjerë mjekë, i katërti sociolog ndërsa ai më i pashmi pedagog, të diplomuar të Zagrebit dhe Shkupit në vitet ’50 dhe ’60. Një fotografi që më ngjall një ngazëllim të shfrenuar, ndoshta sepse i kam njohur të gjithë si personifikim të guximit. Por më shumë më ngjall kureshtje diçka tjetër: dua të dij si ia bënin që në kohët më të vështira ata të ishin aq krenarë që ishin shqiptarë, të luftonin dhe të sakrifikonin për t’ja bërë më lehtë brezit tim. Më vjen keq që asnjë prej tyre nuk është gjallë që të më përgjigjet.

Unë i përgjigjem kësisoj: të përballuar me ato rreziqe të stërmëdha dhe të pashmangshme, atyre iu desh të kërkonin në guximin e tyre krenarinë për të mbijetuar. Ata nuk u lodhën nga realiteti i tyre i dhimbshëm.

Fatkeqësia e brezit tim është dembelizmi, ose më mirë sindromi i karkalecit. Duke mos patur ideale, siç kanë patur prindërit tanë, për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurtë si në aspektin social ashtu edhe në atë ekonomik, ne mbijetojmë në trashëgiminë e brezit të artë. Idealet tona sikur janë humbur përgjatë krizave të shumta që i kemi përjetuar, duke na lënë të sfilitur dhe të pafuqishëm për të vepruar drejt përmirësimit të gjendjes tonë dhe krijimit të një të ardhmeje më të mirë për brezin e ri. Medet për brezin e ardhshëm, që do duhet të jetojë në trashëgiminë tonë. Çka do të ketë mësuar nga ne, vallë?

(vazhdon…)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button