Zvicra, së shpejti me koncept të ri për azilin

Gjatë qëndrimit në qendrat federale, azilkërkuesit nuk do të kenë të drejtë pune. Por, pas caktimit nëpër kantone, atyre u hiqet ndalesa e punës.

Këshilli Federal e ka dërguar në parlament për përpunim reformën e madhe të azilit. Edhe pas konsultimeve të bëra në parlament, qeveria këmbëngul në pikat kryesore të reformës së propozuar.

Sipas saj, procedura e azilit në të ardhmen duhet të zgjasë maksimalisht 140 ditë dhe gjatë kësaj kohe azilkërkuesit duhet të mbahen në qendrat federale të strehimit.

Ndërkohë mbetet e hapur se në cilat vende do të hapen qendrat e përmendura federale.

Ato do të caktohen në bashkëpunim të ngushtë në mes të federatës (BFM-së) dhe kantoneve. Koncepti në tërësi do të jetë i gatshëm deri në fund të vitit 2014.

Risi për azilkërkuesit është e drejta që ata do të kenë për një këshillim dhe përfaqësim juridik pa pagesë. Me këtë është siguruar që procedurat e përshpejtuara të azilit të jenë korrekte.

Në fillim të vitit, federata, kantonet dhe komunat ishin pajtuar në parim që të ndahen gjashtë regjione të azilit, secili me nga disa qendra federale për pranim të azilkërkuesve, shkruan srf.ch.

Në to duhet të ketë vend për 5000 azilkërkues ndërsa aktualisht janë në dispozicion 1400 vende, të shpërndara në pesë qendra pranimi dhe procedure.

Këshilli Federal po ashtu ka përshtatur qëndrimet lidhur me të drejtën e punës.

Gjatë qëndrimit në qendrat pranuese federale, azilkërkuesit nuk do të kenë të drejtë pune. Por, pas caktimit të tyre nëpër kantone, atyre u hiqet ndalesa e punës.

Aktualisht azilkërkuesit në Zvicër gjatë tre muajve të parë pas bërjes së kërkesës për azil nuk kanë të drejtë pune. /albinfo/

Lajme të ngjashme

Back to top button