Vrasja në xhami ka tronditur shqiptarët e besimit mysliman

Ngjarja e rëndë që ndodhi të premten në qytetin e St.Gallenit, ka tronditur qytetarët e vendit, e veçmas të tronditur mbetën shqiptarët e besimit mysliman që në ato momente gjendeshin në xhami duke falur namazin e xhumasë, në xhaminë “El-Hidaje”.

66-vjeçari Gani Berisha nga Prizreni kishte parë me sy vrasjen makabre të bashkatdhetarit me origjinë nga Presheva.

“Tmerr i madh me pa një ngjarje të këtillë. Janë raste shumë të rralla të vrasjeve në xhami. Kjo na ka tronditur të gjithëve”, rrëfen ai për albinfo.ch.

Besimtarët e mbledhur në panik kanë braktisur xhaminë “El-Hidaje”, ndërsa autori i vrasjes është dëgjuar duke thënë: “Mos u tutni se u kry”.

“Mezi kam dalë nga xhamia, të gjithë ishin frikësuar me të dëgjuar krismat”, thotë Berisha. “Nuk lejohen vrasjet as me Kanun në xhami”.

Duke u bazuar në dëshmitë e të pranishmëve në momentin e vrasjes, albinfo.ch ka raportuar të premten se vrasja dyshohet se kishte ndodhur për motive hakmarrjeje.

“Një 50-vjeçar vrau me pesë plumba një shqiptar po të të njëjtës moshë për hakmarrje, ngase ia paska vrarë vëllain”, ka thënë Burim Berisha.

Më tutje Berisha thotë se bëhet fjalë për një ngatërresë familjare që kishte fillet para 20 vjetëve në vendin e tyre të origjinës.

Autori i vrasjes nuk ishte xhemat i rregullt i xhamisë “El Hidaje” në St. Gallen. Ai kishte ardhur për të kryer vrasjen nga regjioni i Sargansit të Zvicrës.

Në një njoftim të xhamisë të lëshuar pas rastit të kobshëm, imami i kësaj xhamie, Mehas Alija dhe kryesia e saj thonë se motivet e vrasjes ende nuk janë të njohura. Rasti është nën hetime policore ndaj ata kanë lutur xhematin që të mos përflitet dhe të spekulohet.

“Bëjmë thirrje për përmbajtje dhe durim, kurse familjes së të ndjerit i shprehim ngushëllimet tona“, thuhet më tutje në njoftimin e imamit dhe kryesisë së xhamisë.

Vrasjen në xhami e konfirmon edhe Policia e qytetit, e cila pak pas orës 14 ka marrë një telefonatë për të shtëna në xhami. Me të arritur në vendngjarje, policia bën të ditur se ka arrestuar një burrë të armatosur.

Në vendin e lutjeve brenda xhamisë, njoftojnë ata, është gjendur një burrë i vdekur.

Momentalisht thonë se janë duke hetuar rastin dhe duke intervistuar të arrestuarin si dhe dhjetë persona të tjerë, të cilët në ato momente gjendeshin në xhami. Megjithatë, identitetin e viktimës dhe të arrestuarit policia thotë se ende nuk mund t’i konfirmojë me saktësi.

Organet e rendit nuk kanë mundur t’i konfirmojnë, por as t’i demantojnë motivet e vrasjes të publikuara në media. Të shtunën, bëjnë të ditur ata, do të kenë më shumë informacione për vrasjen.

Policia ka liruar xhaminë në orët e vona të së premtes pas ekspertizës së kryer në vendin e ngjarjes. /AlbInfo/

Lajme të ngjashme

Back to top button