Sa të korit, Marrëveshja e Ohrit?

Duke parë dhe ndjekur shënimin e e zbehtë të sivjetmë e 13 gusht, ditës kur në Ohër u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit, në vitin 2001, që një vit më pas shumë prej saj edhe të inkorporohet në Kushtetutën e vendit me afat realizimi deri më 2004, kujtova se mos po shënohet  dhjetëvjetorit i afatit të skaduar të kësaj marrëveshje, pra 2004-2014.

Por, ky shënim qe i zbehtë qoftë edhe për kremtimin e dhjetëvjetorit të kalimit të skadencës, andaj duke lënë anash këtë Marrëveshje që mbetet një prej dokumenteve bazë politike që ka ndërtuar këtë shtet, dua të komentoj pak në një aspekt tjetër duke u nisur  nga ky shënim i zbehtë për të parashtruar pyetjen: mos vallë dhe sa të korit, kjo marrëveshje e Ohrit?

Fotoja që shtynte të parashtrohej kjo pyetje ishte radhitja e gati gjithë ministrave shqiptarë në një tribunë, pa titull e me shkas, Marrëveshja e Ohrit dhe 13 Gushti nga njëra anë e nga ana tjetër mungesa komplete e zyrtarëve qeveritar nga DPMNE.

Pasi në një statistikë të publikuar së fundmi u pa se edhe numri i administratorëve maqedonas ka shënuar rritje ndaj bashkësive tjera dhe se numri i atyre shqiptar ende është larg kuotës të paraparë me këtë Marrëveshje do ishte më afër mendjes që këtë datë tani ta kremtonin maqedonasit, të cilëve dukshëm u ka përmirësuar jetën dhe pjesën e tyre të shtetit ky dokument. Pra, më kësi numra dhe në kësi gjendje mendoj se vet prezenca politike shqiptare në një kësi kremtim është koritje në vete, lere më kështu kur ata që duhet të kremtojnë mungojnë, ndërsa festojnë disa të tjerë: dhjetë vite të vonuar.

Fotoja tjetër që shihej si me kornizë të mbrapshtë ishte prezenca dhe fjalimi i zëvendës kryeministrit për implementim të MKO-së, z. Musa Xhaferi. Ishte më afër mendjes që pasi kryeministri ka qenë në pushim mu ky zëvendës i tij të ishte kryeministër në detyrë dhe kështu edhe të kremtonte disi esencialisht këtë ditë; duke marrë vendime qeveritare të rëndësishme për implementimin ose përmirësimin e implementimit të çështjeve të zvarritura nga ky dokument historik.

Por, jo. Jo vetëm që ky zëvendës kryeministër asnjëherë nuk zëvendëson kryeministrin por edhe fjalët ishin skandaloze. Skandali i parë ishte diskursi i vazhdueshëm si i ndonjë analisti ose shoqate joqeveritare që tregon se çka krejt duhet të bëhet. Pasi ky diskursi kësisoj me “do” dhe “duhet” ende është skandaloz në shumë shoqëri normale për një funksionar i cili jo vetëm se është në pushtet si zëvendës kryeministër, por ja nëse do dinte do mund të bëhej kryeministër.

Kështu ky ministër në sekretariat nëse ka zgjedhë të flas sikur është një analist ose aktivist qytetar ose në disa raste edhe si qytetar i thjeshtë atëherë ndoshta do ishte më e udhës që të merret ndonjë qytetar i rëndomtë dhe të vendosej për disa javë në atë post; kështu disi do shënohej me një gjest më unik data e nënshkrimit të MKO-së.

Kjo pasi ky shënim kësisoj i zbehtë është komprometues për politikën shqiptare dhe nëse vazhdohet kështu do komprometon historikisht kremtimin dhe shënimin e kësaj date. Ashtu që ndoshta do ishte e rrugës që për në mot të mendohet kjo ide; të zgjidhet një qytetar i cili, për një javë ose dy, do jetë zëvendës kryeministër për implementimin e MKO-së dhe me këtë do bëhej afrimi i vërtetë i qytetarëve me këtë dokument, por edhe me shtetin. Atëherë dhe ashtu qytetarët do mund të dinin vërtet se çka është ai zor, nëse ka ndonjë të tillë, që ende pas dhjetë viteve shumë gjëra nga MKO vetëm se janë përmendur dhe ende janë larg implementimit.

Ose me një fat në përzgjedhjen e qytetarit ndoshta funksionarët e radhitur në kësi tribuna do mund të shihnin se në fakt do gjëra kanë qenë lehtë të zbatueshme dhe realizueshme, vetëm se si për çdo gjë duhet pasur: vullnet, dije dhe guxim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button