Ebola kërdinë në Afrikë, sëmundja del jashtë kontrollit në Liberi

Ebola po del jashtë kontrollit në Afrikën Perëndimore. Shteti ku sëmundja po bën kërdinë, është Liberia. Cdo ditë ka të vdekur, kurse në fytyrat e cdo afrikani lexohet damka e vdekjes. Sëmundja ende pa kurë ka përfshirë vatra familjare, ku fëmijët lihen të vdesin më dhoma më vete, të vetëm, nga frika se epidemia do prekë anëtarët e tjerë. Fotograf që rrezikojnë jetën nuk janë trembur por kanë sjellë pamje tronditëse ndërsa mjekët thonë se sëmundja po përhapet me shpejtësi marramendëse.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i njerëzve që kanë vdekur nga Ebola në Afrikën Perëndimore ka arritur në 1,145.

Agjencia e OKB-së thonë se ka marrë njoftime për 152 raste të reja të dyshuara dhe të konfirmuara të prekjes nga virusi.

Në një deklaratë, OBSH-ja tha gjithashtu se 76 raste të tjera të vdekurish janë njoftuar gjatë së njëjtës periudhë, shumica në Liberi.

Ndërkohë presidentja e organizatës ndërkombëtare Mjekët pa Kufij, Joanne Liu shprehet se epidemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore po përhapet më me shpejtësi nga ç’kanë mundësi punonjësit e ndihmave të përgjigjen.

Zonja Liu tha se vendet e prekura duket sikur janë në gjendje lufte, për shkak të frikës nga virusi. Ajo parashikon gjithashtu se do të duhen rreth 6 muaj për ta vënë epideminë nën kontroll.

Presidentja e organizatës Mjekët pa Kufij foli në Gjenevë sot, pas një udhëtimi 10 ditor në Afrikën Perëndimore dhe tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) duhet të luajë rol më të ndjeshëm në menaxhimin e Krizës. Dje, OBSH-ja paralajmëroi se përmasat e epidemisë së Ebolës në Afrikën Perëndimore janë nënvlerësuar jashtë mase.

Për t’u kujdesur për disa pacientë me Ebola në Liberinë e goditur rëndë nga sëmundja, organizata Mjekët pa Kufij po ndërton një qendër të re për trajtimin nga Ebola.

“Do të jetë struktura më e madhe që kemi ndërtuar me një kapacitet prej 120 shtratesh. Ne po ngremë edhe një njësi në Foya të distriktit Lofa për të izoluar dhe për t’u kujdesur për pacientët. Sepse aktualisht, epidemia është krejtësisht jashtë kontrollit dhe ne duhet të gjejmë strategji të tjera për të përballuar situatën”, thotë Lindis Hurum një koordinatore për Mjekët pa Kufij.

Përpjekjet e organizatës bamirëse po vlerësohen, por Martha Ëesseh, një punonjëse sociale thotë se qeveria duhet t’i ndihmojë më shumë ata që janë goditur nga virusi.

“Dikush mund të deklarojë se ka virusin, por procesi i përkujdesjes për atë person është diçka tjetër. Prandaj qeveria duhet të marrë masa dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mendojë se çfarë t’u japë këtyre pacientëve”.

Dy kuti me ilaçin e Ebolës Zmapp mbërritën në Liberi nga Shtetet e Bashkuara të mërkurën. Dy mjekë liberianë do të trajtohen me këto ilaçe.

Zyrtarët duhet të vendosin tani se cilët persona të tjerë do t’i marrin dozat e tjera të ilaçit, i cili është vështirë të sigurohet në sasi të mëdha.

OBSH-ja tha se parashikon që epidemia të vazhdojë “për një kohë të konsiderueshme”. Nuk ka një kurë apo vaksinë deri tani për Ebolën./ Balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button