Dosjet e UDB-së për shtetasit e Maqedonisë, shpejt në dispozicion të Lustruesve

Dosjet e ish-shërbimeve sekrete nga ish Jugosllavia për shtetasit e Maqedonisë, e të cilat pas prishjes së Jugosllavisë mbetën në Beograd, shpejt do të jenë në dispozicion të Komisionin Lustrues.

Një mundësi të këtillë ofron marrëveshja mes Maqedonisë dhe Serbisë për shkëmbim dhe mbrojtje të dyanshme të informacioneve të klasifikuara, që është nënshkruar në shkurt të këtij viti dhe tani pritet ratifikim në Kuvend, raporton Dnevnik.

Maqedonia nga fillimi i Lustrimit në vitin 2008, disa herë ka hapur çështjen për qasjen në arkivat e Beogradit të shërbimeve sekrete, por nuk ka pasur bazë juridike që Serbia t’i japë ato dokumente të cilat kanë informacione të klasifikuara.

Pas ratifikimit të marrëveshjes, Komisioni për Verifikimin e Fakteve do të mund të fillojë procedurën që të fitojë disa nga dosjet që shërbimet sekrete jugosllave kanë pasur për Maqedonasit, e të cilat kanë mbetur në Beograd.

Shkëmbimi dhe mbrojtja e informacioneve të klasifikuara, sipas marrëveshjes, do të bëhet nëpërmjet organeve nacionale të sigurimit të dy shteteve. Në Maqedoni ajo është Drejtoria për Siguri dhe Informacione të Klasifikuara, ndërsa në Serbi është Zyra e Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Mbrojtje të të Dhënave të Klasifikuara.

Lajme të ngjashme

Back to top button