Mos të zëntë pleqëria në gjirin e kësaj rinie!

“Fëmijtë në shtëpinë e fëmijve dhe prindërit në shtëpinë e pleqve. Rrofshit sa pyjet e gjata pranë druvarëve të pacipë ju fëmijë të arsimuar që keni shtëpi të bukura, por të cilat janë të zbrazura prej çdo shije.”

Është gabim i madh që diçka që gjendet jashtë shtëpisë të quhet çerdhe. Çerdhja dhe vatra janë sinonime të vendbanimeve që njeriu emocionalisht është i lidhur për to. Për një foshnje dhe një fëmijë nuk mund të jetë çerdhe shtëpia e fëmijve, ku detyrimisht duhet ta kalojë një pjesë të gjatë të ditës në mungesë të prindërve. Ai aty mund të gjejë lodra nga më të llojllojtat e edukatore nga më të zonjat, por aty nuk mund ta gjejë atë që me shpirt e kërkon, edhe pse me fjalë nuk mund ta shqipton. Aty i mungon dashuria amënore, që edhe me gjithë paratë e botës nuk mund ta blejë. Gabimisht dhe ndoshta qëllimisht, sot shtëpitë e fëmijve emërtohen si çerdhje dhe shtëpitë e blera jashtë vendlindjes si vatra.

Ndonëse të zënë me punë të shumta dhe të lidhur ngusht pas botës materiale, pahetueshëm gjithnjë e më shumë po varfërohet shoqëria jonë shqiptare. Ndërtuan shtëpia të larta e të gjera, por shumica e dhomave mbetën pa njerëz, ndërsa dhoma e ndejës pa miq e pa dashamirë. Për fat jo të mirë, familja dhe shoqëria jonë lejoi të varfërohet edhe në prani të shumësisë së parave. Ajo ka gjasa të shumta që të ngelet pa prindër dhe pa fëmijë. Shtëpia e bukur ka gjasa të jetë e kotë, sepse burri dhe gruaja të shumtën e kohës duhet ta kalojnë nëpër vendet e tyre të punës. Ata ranë pre e “maksimizimit të fitimit”! Ata harruan se pikërisht dhënia pa masë pas këtij fitimi është humbja më e madhe.

Këto ditë, lexuam një lajm aspak të mirë për traditën dhe njerëzinë tonë. Obiliqi për herë të parë do të bëhet me shtëpi të pleqve! Obiliqi është në Kosovë, kurse Kosova përbëhet prej atyre njerëzve që historikisht mes tjerash kishin kultivuar edhe nderin e prindërve. Madje gjithçka bëhej ashtu siç thoshin prindërit. Ata uleshin në krye të odave. Fjala e tyre merrej si urtësi e thellë. Ata edhe pse të thyer në moshë e me arsimim shumë të zbehtë, sërish e kishin fjalën vendimtare, sidomos për gjësende që ishin me rëndësi jetike. Në anën tjetër, sllavët sa nuk pëlcisnin prej inatit. Kishin dëshirë të nderoheshin ashtu sikurse nderoheshin prindërit shqiptarë prej fëmijve të tyre, por ja që as për së afërmi një gjë të tillë nuk mund ta shijonin. Atyre nuk ja varnin fare fëmijët. Përkundër që prindërit sllavë ia kishin siguruar thuajse të gjitha kushtet materiale, sërish fëmijët e tyre ngutshëm i dërgonin për në shtëpinë e pleqve dhe një herë apo dy herë në vit i vizitonin. Vetmoheshin e qëndronin larg familjes pikërisht atëherë kur kishin nevojë më së tepërmi për ngrohtësinë e familjes, sidomos dergjeshin për një ledhatim të hollë të nipërve e të mbesave. Shqiptarëve kjo u dukej çmenduri dhe shpërdorim i pacipë i institucionit të shenjtë FAMILJE.

Çka t’i bësh, nuk shkoi edhe gjatë kohë, që një veprim afërsisht i ngjashëm me atë të sllavëve, filloi të shihej në horizontin tonë. Prindërit e shtyrë në moshë, të cilët përpos konsumit dhe jashtëqitjes nuk mund të bëjnë asgjë tjetër, duhet të shkojnë në shtëpinë e pleqve. Gruaja me burrin dhe pjesërisht me fëmijët e saj duhet të kënaqen sa më shumë. Të kenë kohë të lirë pas punës së lodhshme. Ajo më me dëshirë do të punonte dy orë pas pune, kuptohet për ta marr ndonjë mëditje shtesë, se sa dy orë me besnikëri e bujari t’i shërbente prindërve të burrit dhe fëmijve të saj. Thotë se i duhen shumë para. Duhet të investojë në arsimimin e fëmijve. Duhet t’i dërgoj në ndonjë kolegj privat. Megjithëkëtë, sikur e gjora po harron se në saje të kësaj mendësie është duke investuar në fëmijë të atillë që posa t’i mbushe 65 vjet kjo dhe burri i saj do t’i dërgojnë në shtëpi të pleqve. Është për t’u dhimbsur, ngaqë nuk është duke i përgatitur fëmijët për gjirin e ngrohtë familjar, prej ku edhe mugullojnë pipthat e suksesit për shoqërinë dhe shtetin, por është duke i përgatitur për atje ku ajo nuk do të jetë. Llojit të kësaj gruaje nuk i intereson asgjë tjetër, pos arritjes së mirëqenies ekonomike. Shpirtërorja për këtë mendësi qëmoti kishite dhënë shpirt! Fatkeqësisht, nuk i mjaftojnë katër orë as tetë orë punë. Pak i duken! Në të vërtetë nuk i duken pak orët e gjata të punës, por paratë që mund t’i arkëtojë prej atyre orëve.

Mjerisht, as shtetit nuk i intereson thuajse fare për gjininë femërore. Shteti përmes barazimit me mashkullin në të drejta dhe në detyrime, në të vërtetë po e mbytë femrën në Kosovë e gjetiu. Udhëheqësit e shtetit nuk e kanë parasysh faktin se ajo është qenie e butë, e ndjeshme dhe e dobët fizikisht krahas mashkullit. Parimisht kjo nuk përbën ndonjë epërsi për mashkullin. Edhe njëri edhe tjetri kanë vlera aq sa kanë moral! Është e vërtetë se ajo duhet të punojë, por jo sa dhe në disa punë si meshkujt, sepse ajo është ministre e financave, e arsimit dhe e edukimit në shtëpi. Ajo nuk duhet të sillet me shpërfillje rreth kësaj gjëje. Nuk duhet e tëra të harxhohet në punë. Duhet të mendojë për detyrat bujare që e presin në shtëpi. Ajo nuk duhet të harrojë, meqë shteti e ka harruar prore qenësinë e saj, se është grua, nënë dhe së bashku me burrin e saj, ajo është kujdestare e prindërve të burrit të saj, pse jo edhe e prindërve të saj. Ajo është e privilegjuar, vetëm sikur ta dinte! Ka dy nëna e dy baballarë. Ajo përskaj sigurimit të të hyrave financiare dhe ekonomike në shtëpi, më seriozisht duhet të mendojë për çerdhen e ngrohtë familjare. Prandaj, nuk duhet harxhuar tërësisht kohën dhe veten në shërbim të urdhërave të udhëheqësit në punë, aq sa të arrinte puna gjer aty sa ajo do të ngelte vetëm një vazo e pluhrosur pa lule në shtëpinë e saj. Përndryshe kërkesat e burrit, fëmijve dhe prindërve të saj janë shumë më parësore se sa kërkesat e një shefit në punë!

Kësilloj, është e vërtetë se shtëpia e pleqve i ofron pleqve strehim, por fatkeqëisht ajo nuk i ofron gjënë më të dëshirueshme për pleqtë. Ajo nuk i ofron prehje. Gazaliu kishte thënë: “Në rini ditët janë të shkurtëra dhe vitet të gjata, ndërsa në pleqëri ditët janë të gjata dhe vitet janë të shkurtra!” Pikërisht ditët e tyre të gjata dhe vitet e pakta që i kanë mbetur, ata duhet t’i kalojnë pa më të dashurit. Sakaq, në një bisedë mes gruas dhe burrit, apo të resë dhe djalit, rrodhi vendimi që prindërit duhet degdisur në shtëpi të pleqve, paçka se dërgimi i prindërve në shtëpi të pleqve, ashtu siç po veprojnë prej kohësh popujt e “qytetëruar” është paravdekje për prindërit. Atyre shpirti që është i burgosur në trup, me këtë akt të mjerueshëm, do të fillojë t’i kalbet, derisa një ditë do ta braktisë atë trup të vetmuar, trup ky që do të rrëfejë për një turp të bijve të tij. Megjithatë, nuk mund të jetë edhe ky trup tërësisht i pafajshëm. Ky është produkti i investimit të tij. Sigurisht se ky prindërit e tij nuk i ka dërguar në shtëpi të pleqve, por nuk i ka edukuar sa duhet fëmijët e tij. Mbase mund t’i ketë edukuar, por jo edhe në frymën shpirtërore, frymë kjo që do t’i mungojë brenda shtëpisë që gjendet jashtë vatrës së tij. Mes tjerash, gëlimi i shtëpive të pleqve, është një tregues i qartë i humbjes së moralit në familjen dhe në shoqërinë tonë, ku ndoshta nesër mund të kemi sa të duash pasuri materiale, por do të na mungojë gjëja më kryesore në jetë; PREHJA!

Lajme të ngjashme

Back to top button