Burrat pa armë

Politika është mënyrë që meshkujt të luftojnë mes vete, por pa armë…të buzëqeshur në fushëbetejë, vështrohen si rivalë edhe kur i takojnë të njëjtit opcion, thotë shkrimtarja e re ruse Ana Kozlova, përfaqësuese e të ashtuquajturit “realizim i ri rus”; rekomandime për romanin e saj të përkthyer serbisht “Ljudi çiste savesti”… Boshti i rrëfimit është ndërtesa e Parlamentit ku personazhet ndërtojnë karrierën, ndërsa kryesorja ndodh pas kuintave: allëshverëshet për begatime, argëtimet me alkohol dhe stimulues tjerë, orgjitë me femra të reja – se pushteti është afrodiziak, dhe pasiviteti evidentohet si paaftësi apo çrregullim.

Në përgjithësi amoraliteti shndërrohet në moral të Rendit të Ri.

Rilexova këto ditë pushimi romanin Brave New World  në të cilin O.Haksli vitin 2540 e anticipon si kohë ku njerëzit, të verbëruar nga propaganda dhe konsumerizmi, nisin ta duan robërine; te lumtur dhe akoma më të qepur pas robërisë bëhen në sajë të një lloj droge që nuk dëmton shëndetin (sot varshmëria digjitale), besnikëria dhe martesa zbehen, fëmijët prodhohen masovikisht (sot in vitro)…Shumëçka në veprën e Hakslit ngjan me kronikë aktuale shoqërore, ashtu si profetizmi letrar 1984 i Orvelit.

“…Kisha për qëllim të përshkruaja si funkcionon makineria ku gjithçka është e korruptuar, por të gjithë mëtojnë të prezantohen si njerëz me ndërgjegje dhe duar të pastra. E çuditshme – ata disi mbeten njerëz me këmisha t’bardha dhe kollare t’pastra. Edhe më tutje ashtu punohet, të gjithë e dijmë si punohet…”. Kozlova mandej flet për paradoksin kur prej aeroportit të Moskës udhëton kah qyteti dhe gjithkund ndanë rrugës shikon bilbordet e mëdha: Për drejtësi, Për të vërtetën, Kundër korrupcionit…

…Te dera jonë në Tetovë kohë pas kohe vinin hallexhinj që kërkonin çare për ndonjë problem. Tahiri kur qëllonte në shtëpi nuk fshihej, dilte dhe bisedonte. Nëna e këshillonte të jetë më fjalëmbël se kushedi sa guxim i është dashur njeriut të drejtohet në atë mënyrë, kurse ai pergjigjej që nëse nuk mund t’ua zgjedh problemin apo nëse nuk varej nga ai, si t’u thote njerëzve fjalë të ëmbla e mandej ata të zhgënjehen? Njëherë nëna e paska vërejtur nga dritarja si flet me shprehje serioze fytyre, u pergjigj, me kujtohet, se nuk është në kampanjë që të buzëqeshet dhe të gënjejë (!). Edhe sot kur nevoja lyp diplomaci ne drejtohemi te nëna, ajo e ujdis me talent, kurse Tahiri mbeti i paaftë për të thënë gjë tjetër pos Të vërtetës, mu si në bilbordet që përshkruan Kozlova.

Shkrimtarja ka njohuri intuitive për politikën ngase ish-burri i saj është marrë me zanatin dhe nga funkcionar i rëndomte ka ngjitur shkallët deri te majat politike. Kjo paskësh qenë kontakti i vetëm i saj me politikbërjen, por a pak është të jetosh me një politikan!? Atëherë më së miri e kupton pasi e sheh nga afër se çfarë janë sidat për të rrëshqitur dhe si shumica rrëshqasin në baltë, si punohet në dëm të atyre për të cilët gjoja punohet pa pauzë.. (?).

Definimi më i mirë për kiçin është “kiçi është gjoja”. “Në këtë vend të harruar edhe nga Zoti edhe nga djalli ku çdo gjë vonohet ose nuk vjen fare” :

Gjoja punohet shume dhe prap rezultatet mungojnë.

Gjoja zbulohen rrënjët e vjetra kurse krejt çka fitohet janë borxhe të reja dhe barcoleta të reja për ne.

Gjoja çojnë inate publike, gjoja ndeshen konceptet,  ndërkohë që s’ndahen nga njëri-tjetri si dashnorë  fatalë.

Gjoja mëtojmë Evropën kurse bëhemi gjithnjë e më tepër Afrikë.

S’mbet shtet në rajon që nuk na e kaloi.

Gjoja trima, kurse nga friga një hap s’e bëjnë pa ato truprojat me fytyra të ngrysura.

Tamam e ka Kozlova..

Politika është mënyrë që meshkujt të luftojnë mes vete, pa armë…!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button