SHBA, sulme të tjera kundër ISIS

Ushtria amerikane tha se ka kryer një raund të tretë sulmesh ajrore mbi militantët sunitë muslimanë, për të mbrojtur civilët në Veri të Irakut. 

Sipas forcave amerikane, avionët e tyre ushtarakë arritën të shkatërronin automjete të blinduara të xhihadistëve. Ndërhyrja e Shtëpisë së Bardhë u bë menjëherë pasi ISIS fitoi terren, në qytetin që strehonte miliona të krishterë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Francës mbërriti në Irak, për të diskutuar rreth krizës që ka përfshirë vendin. Laurent Fabius, i cili arriti në Bagdad mëngjesin e ditës së diel, do të mbikqyrë shpërndarjen e ndihmave të para, që Franca ka dërguar për njerëzit, të cilët janë zhvendosur në malin Sinjar për t’u shpëtuar kërcënimeve të ISIS.

Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, njoftoi se një tjetër avion ushtarak britanik solli ndihma humanitare në Irakun verior.

Ndërhyrjet e ndërkombëtarëve po bëhen me qëllim frenimin e grupit ISIS, i cili duket se e ka rritur kapacitetin e militantëve të tij nga e gjithë bota, madje sipas burimeve, armatimet që xhihadistët zotërojnë janë shumë të sofistikuara.

Qëllimi i xhihadistëve, të cilët kanë marrë nën kontroll zona të mëdha të Irakut e Sirisë, është krijimi i një kalifati islamik në rajon, si dhe kthimi i gjithë popullsisë në muslimane. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button