Ahengjet që lënë pa gjumë qytetarët, sfidojnë lehtë vetëqeverisjen lokale në Tetovë

Gjatë muajve të verës, organet kompetente kundër ndotjes akustike nuk mund të përballen me zhurmën e krijuar nga lokalet dhe dasmat.

Tetova këto ditë është qyteti më i zhurmshëm. Fonometri i ekipeve përgjegjëse për matjen e zhurmës që krijohet, duket i panevojshëm, përballë ankesave të qytetarëve të cilët jetojnë në afërsi të lokaleve ku jehona e muzikës i lenë pa gjumë.

Më problem për banorët e “Çarshisë së Epërme”, paraqet ende restoranti Teleferiku. Edhe përkundër kërkesës së vazhdueshme të banorëve dhe nënshkrimit të peticionit për mbylljen e këtij restoranti, jehona e dasmave vazhdon të shqetësojë banorët.

Isuf Osmani, thotë se shqetësimi është i madh sidomos në këto ditë vere ku dasmat janë më të shpeshta. “Jehona e muzikës dëgjohet edhe pas orarit të lejuar, shpesh ndodh që zhurma të vazhdojë deri në orët e vona. Ndërtesa e teleferikut nuk është një ambient i përshtatshëm, sepse ndodhet në periferi ku dasmat bëhen në oborr dhe zhurma e muzikës ndihet fuqishëm shumë larg”, thotë Jusufi.

Një qytetarë tjetër, U. M, thotë se, me zhurmën e restorantit te Teleferiku kanë pasur problem edhe gjatë ditës jo veç gjatë orëve të mbrëmjes. Para dy javëve thotë ai, situata për pak sa nuk eskaloi, pasi muzika e lartë nuk u ndal edhe gjatë një ceremonie varrimi.

Ndotja akustike shtrohet si problem në gjithë rajonin e komunës së Tetovës, restorante dasmash, ahengje në shtëpi dhe kafenetë, kryesisht në qendër të qytetit.

Komuna dhe policia të pafuqishme

Përballë këtij fakti, vetëqeverisja lokale dhe policia duken të pafuqishme. Deri më tani nuk kanë arritur të vendosin rregull mbi objektet afariste hoteliere.

Zëdhënësi i policisë së Tetovës, Marjan Josifovski, thotë për Portalb, se ekipet kanë dalë në teren me instrumentin për matjen zhurmës së krijuar nga muzika, kryesisht nëpër lokalet e qytetit, por kjo është bërë muajin e kaluar dhe është konstatuar se ndotja akustike ka tejkaluar normat e lejuara me ligj. Ky konstatim nuk ka mjaftuar për të penguar ndotjen akustike për arsye se pronarëve të lokaleve vetëm u është tërhequr vërejtja.

Marjan Josifovski thotë se, nuk ka pasur ankesa nga qytetarët, ndërkohë që qytetarët e “Çarshisë së Epërme thonë se ankesat e tyre nuk janë marrë në konsideratë nga askush dhe se ata kanë qenë të vazhdueshme.

Lejueshmëria e lartësisë së muzikës në qytetin e Tetovës është 55 decibel gjatë ditës, ndërsa 45 decibel gjatë natës.

Ky nivel konsiderohet i mjaftueshëm për të mos penguar qoftë edhe në qytetarë që mund të pi një kafe fare pranë lokalit apo atyre që duhet të bëjnë gjumë në afërsi të salloneve të dasmave.

Ky rregull mbetet ende i pazbatueshëm, zhurma që krijohet tejkalon disa herë masën e përcaktuar, por që mbetet vetëm një rregull e shkruar.

Komuna e Tetovës, për momentin, nuk ka ndonjë planë për veprim deri sa të bëhet kontarktimi me një firmë e cila do të bëjë matjen e zhurmës në qytet.

Zëdhënësja e komunës së Tetovës, Lume Hyesini, thotë se jemi në procedurë të kontraktimit të një firme e cila në terren do të bëjë matjen e zhurmës, pasi të bëjmë kontraktimin dhe pasi të vërtetohet se ka tejkalim të masave të lejuara, atëherë komuna do të ndërmarrë masat e nevojshme”, tha Lume Hyesini.

Ahengjet që lënë pa gjumë qytetarët nga zhurma e dasmave në restorantin Teleferiku, duket se do të vazhdojnë. Pronari i tij është i pakapshëm nga Portalb dhe i plotfuqishëm përballë vetëqeverisjes lokale.

Qytetarët thonë se ai është njëri i fuqishëm në VMRO-DPMNE dhe se financon degën e kësja partie në Tetovë.

Ahengjet e zhurmshme të dasmave, zhvillohen në mënyrë të pakontrolluar edhe në fshtrat për rreth.

Banorët thonë se intervenimi për të pasur pak qetësi është bërë thuajse “tabu”. Ankesat janë të mëdha në njësitë rajonale të policisë, por ata nuk mund që të thyejnë këtë tabu. Nga njësia rajonale e policisë në Tearcë, thonë se ka pasur raste kur është intervenuar, por nuk është marrë ndonjë masë konkrete, vetëm u është tërhequr vërejtja dasmorëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button