Një Snowden i ri furnizon mediet me informacione

Qeveria amerikane ka ardhur në përfundim që një tjetër burim është duke nxjerrë dokumentet e agjencisë për siguri kombëtare, pas publikimit të dokumentacioneve nga ana e Edward Snowden, i kanë thënë ‘CNN’-it zyrtarë të lartë amerikanë. Dokumentet e reja kanë qenë pjesa kryesore e një raporti lajmesh, që është publikuar të martën nga ana e ‘Intercept’-it, ueb-faqes së lajmeve të lansuar nga Glenn Greenwald, i cili kishte publikuar edhe informacionet e marra nga Snowden. Artikulli i ‘Intercept’-it fokusohet në rritjen e data-bazës së Qeverisë amerikane të emrave të njohur, ose për të cilët dyshohet që janë të lidhur me terrorizëm. Artikulli citon dokumentet e përgatitura nga ana e Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit në muajin gusht të vitit 2013, periudhë kjo pasi që Snowden ishte larguar nga Shtetet e Bashkuara për t’i shmangur akuzat kriminale. Greenwald ka bërë të ditur që tani ekziston një tjetër publikues i të dhënave. Në korrik ai në rrjetin social “Twitter” kishte shkruar: “Është pothuajse e qartë që ka një publikues tjetër”.

Zyrtarët qeveritarë kanë filluar investigimet për zbulimin e identitetit të personit në fjalë. Në një intervistë të dhënë në muajin shkurt, Greenwald për ‘CNN’-in ka thënë: “Unë mendoj që është e përshtatshme të thuhet që ka njerëz që janë inspiruar nga kuraja e Edward Snowden-it”.

Ai më pas ka shtuar: “Unë nuk kam asnjë dyshim që do të ketë burime të reja nga Qeveria, të cilët do të irritohen nga ligësitë dhe do të dalin për të folur publikisht, ashtu siç kishte bërë Edward Snowden”.

Ende nuk është e qartë se sa dokumente do të dalin nga publikuesi i ri, andaj edhe nuk dihet se sa dëme do t’i shkaktohen Qeverisë. (Kosova SOT)

Lajme të ngjashme

Back to top button