Amerikanët kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri

Bota po ndjek dhe po pret për të pare nëse Shtetet e Bashkuara do të reagojnë ndaj sulmit me armë kimike që la të vrarë më shumë se 1,400 sirianë, përfshi këtu disa qindra fëmijë.

Presidenti Obama dhe disa udhëheqës të zëshëm në Kongres po bëjnë thirrje për goditje ushtarake. Por pavarësisht tmerrit në atë vend, shumë amerikanë nuk mendojnë se sulmet ajrore do të ndikojnë pozitivisht dhe po i kërkojnë Kongresit që të mos mbështesë planin e presidentit Obama për sulme të kufizuara ushtarake ndaj Sirisë.

“Vazhdimisht kemi qënë në luftra. Sapo mbaron njëra fillon tjetra.”

Ngurrimi për t’u përfshirë në Siri del qartë në anketat e fundit. Një anketë nga Washington Post dhe ABC News tregon se 59 për qind e amerikanëve janë kundër sulmeve ushtarake në Siri krahasuar me 39 për qind në favor.

Një tjetër anketë nga Qendra për Kërkime Pew, tregon se 48 për qind e amerikanëve janë kundër sulmeve me 29 për qind në favor.

Kjo ndjenjë po vihet re në mbarë vendin. Cidy Sheehan, e cila u bë aktive në politikat kundër luftës pasi humbi djalin e saj në Irak, udhëhoqi një grup protestuesisht në Sakrameto të Kalifornisë, ku ajo kandidon për guvernatore.

Në sheshin Times në Nju Jork, rreth 200 protestues brohoritën kundër luftës. Në Masaçusets, protestuesit kundër luftës marshuan pranë shtëpisë së Sekretarit të Shtetit John Kerry në Boston. Po ashtu edhe në selinë e Kongresit amerikan protestuesit ngritën lartë duart e lyera me bojë që nënkuptonte gjakun, ndërkohë që zoti Kerry përpiqej t’u mbushte mendjen ligjvënësve për sulme ndaj Sirisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button