Mbrëmjet Kuranore dhe Netët e Kulturës Islame, freski e Ramazanit

Me një numër të madh e të shumëllojshëm aktivitetesh, Forumi Rinor Islam, po shënon gati çdo ditë të muajit ramazan. Aktivitetet janë realizuar dhe po vazhdojnë të realizohen në shumë qytete të Maqedonisë ku edhe vepron FRI-ja.

Me Mbrëmjen Kuranore të realizuar në qytetin e Shkupit, filluan edhe Netët e Kulturës Islame. Në Çarshinë e Vjetër në Shkup, ky aktivitet bashkëtuboi një numër të madh qytetarësh. Në kuadër të këtyre netëve, u organizuan një sërë aktivitetesh artistike dhe kulturore. Ndër to theksohet kuizi shpërblyes i diturive islame, për kalimtarët e rastit. Pastaj, këndi i artit grafik dhe ebru, shitja e librave dhe ëmbëlsirave i pasuruan edhe më shumë këto mbrëmje.

Mbrëmje Kuranore u organizua edhe në qytetin e  Tetovës. Në sheshin “Iliria” në Tetovë, para qytetarëve të shumtë, u paraqitën hafëzllarët Egzon Ibrahimi nga Kosova, Hakim Iljazi poashtu nga Kosova, si dhe Besir Limani, nga Tetova.

Në qytetin e Kumanovës, Forumi Rinor Islam, për të shtatin vit me rradhë, bashkëorganizoi iftarin madhështor në shesh të qytetit me Komunën e Kumanovës. Me këtë iftar, filluan edhe Netët e Kulturës Islame. Natën e dytë, vazhdoi Mbrëmja Kuranore me lexuesit Hakim Iljazi, Sadatin Nuhiju dhe Flamur Kasami. Përgjatë katër netëve me rradhë, në shesh të Kumanovës, FRI-ja do të paraqitet me program të larmishëm kulturor.

Me fjalime motivuese, prezentim të biografive të shkencëtarëve, aktivitete për fëmijë, Mbrëmjen e Poezisë si dhe shitje të librave e ëmbëlsirave vazhdojnë edhe dy netët tjera në shesh të Kumanovës.

Sektori i Femrës, me program të veçantë vetëm për femra, realizoi aktivitetin “Mbrëmje Islame”. Me programe të ndryshme, ky aktivitet u realizua në tre qytete, Shkup, Kumanovë dhe Tetovë.  Programet përfshinë ligjëratë, lexim të Kuranit, monolog, dialog, shfaqje të dokumentarit, këshilla, ilahi.

Lajme të ngjashme

Back to top button