Snowden, aplikon për të shtyrë qëndrimin në Rusi

Ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden,  ka kërkuar zyrtarisht zgjatjen e qëndrimit të tij në Rusi, pas skadimit të vizës.

Avokati i tij, Anatoli Kucherena konfirmoi se shkresa i është dorëzuar Shërbimit Federal të Migracionit të Rusisë. Dokumenti që disponon Snowden, dhe që i është dhënë atij për azil të përkohshëm, skadon më 31 korrik.

“Ne kemi nisur procedurën për gjetjen e azilit të përkohshëm dhe kemi dorëzuar dokumentet për zgjatjen e qëndrimit të tij në Rusi”, tha  Kucherena.

Snowden është larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj 2013 dhe që prej asaj kohe ka jetuar në azil me qëndrim të përkohshëm në Rusi.

Ai akuzohet nga SHBA-ja për spiunazh, pasi ka publikuar dokumente të klasifikuara për programet amerikane të mbikëqyrjes. Gjatë një interviste të realizuar në Moskë, ai ka thënë se ka publikuar dokumentet sepse ishte “patriot”. Gjithashtu, ai ka mohuar se po punon me autoritetet ruse./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button